Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një noftimi për mediae, ka konfirmuar që përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka arritur në Kosovë.
“Mirosllav Lajçak u mirëprit me të ardhur në aeroportin Ushtarak të Prishtinës nga Shefa e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorja Nataliya Apostolova dhe nga Komandanti i misionit të NATO-s KFOR-it Gjeneral Major Michele Risi. NATO vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Gjithashtu është paralajmëruar se gjatë ditës së matë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Lajçak do t’i takojë krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Më herët, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar që Lajçak do të diskutojë me krerët institucionalë të Kosovës për modalitetet rreth rinisjes së bisedimeve si dhe do të sjellë datën për rinisjen e këtij procesi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së ka nisur në vitin 2011. Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Kosova vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë u pasua me reciprocitet, por në fillim të muajit qershor, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti hoqi reciprocitetin, me qëllim që t’i jepej shans rinisjes së dialogut.
Në fillim të muajit prill të këtij viti, Miroslav Lajçak u emëruar si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.