Largimi i 20%, Pendarovski: Është gjë normale, i pari do e mbështesja

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të debatit për ndryshimet kushtetuese në vend, i pyetur nga Portalb.mk në lidhje me propozimin për zëvendësimin e 20 përqindëshit me gjuhën shqipe në kushtetutë, deklaroi se kjo nuk e shqetëson aspak pasi është diçka e natyrshme.

Marketing

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në të, partia opozitare, Lëvizja Besa ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të ndryshon Amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ku kërkojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare si gjuha maqedonase dhe jo të llogaritet si gjuhë që e flasin së paku 20 përqind e qytetarëve. Për këtë nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se kanë pranuar shkresën e kësaj partie dhe se të gjitha kërkesat në lidhje me ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në grupin punues.

Presidenti i vendit u shpreh se do përkrahte një gjë të tillë.

“E kam thënë shumë herë. Mendoj se e kam thënë këtë dy ose tre vjet më parë. Nuk më shqetëson fare, do të isha i pari që do ta mbështesja sepse mendoj se është një gjë normale e natyrshme. Pse identitetin e pacenueshëm dhe të qartë për të gjithë, të një etnie, duhet ta fshehim pas numrave?“, tha Pendarovski në pyetjen e Portalb.mk.

Në lidhje me atë se a është planifikuar ndonjë takim te ai me partitë në lidhje me ndryshimet kushtetuese për përshpejtimin e këtij procesi, ai tha se për momentin nuk ka diçka të tillë, por se është i hapur për takime të tilla.

“Unë vazhdoj të them se, jam i hapur për atë lloj forumi apo takimi, por duhet të ketë marrëveshje nga dy, tre, pesë palët e supozuara të përfshira. Nuk ka një pajtueshmëri të tillë për momentin”, tha Pendarovski.

I pyetur se nga kush nuk ka pajtueshmëri, presidenti tha varret si formulohet pyetja.

“Dikush dëshiron të diskutojë modelin kroat, pala tjetër thotë se ne e kemi zgjidhur atë çështje njëzet e vjet më parë. Nëse pala e parë thotë të diskutojmë për bullgarët në kushtetutë, pse jo, pasi kjo është kryesorja për të vazhduar drejt Evropës, pala tjetër thotë jo. Pra, nuk mund të detyrosh dikë me forcë”, theksoi Pendarovski.
Ndërkohë dje zëvendëskyreministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq deklaroi se grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet kushtetuese, me të cilat bullgarët dhe komunitetet e tjera më të vogla duhet të futen në preambulën e kushtetutës, do të ketë mbledhjen e parë pas festave të Pashkëve dhe do të fillojë formulimin e propozimet për amendamentet për të cilat më pas do të hapet diskutim publik.

Dje, zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq vlerësoi se përfshirja e etnive tjera në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, përmes ndryshimeve kushtetuese, nuk e dëmton identitetin e popullit maqedonas. Ajo theksoi se së shpejti grupi i punës për ndryshimet kushtetuese do të plotësohet me ekspertët, duke u përcaktuar edhe metodologjia e punës. Me pëlqimin e 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, procedura për ndryshime kushtetuese do të fillojë në Komisionin për Çështje Kushtetuese.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski konfirmoi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në këtë proces. Ai vlerësoi se Qeveria dëshiron të politizojë procesin.

Kryetari i Lëvizjes Besa nga opozita, Bilall Kasami, ka deklaruar se nuk janë kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por se do të mbështesin ndryshime të tilla nëse formulimi “gjuha e folur nga 20 përqind e qytetarëve” të zëvendësohet me “gjuha shqipe”. I ngjashëm është edhe qëndrimi i fraksionit të BDI-së, i udhëhequr nga i ashtuquajturi “Grupi i Zjarrit”, nga ku kërkuan të jenë pjesë e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese.

Kujtojmë se negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRO–DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Marketing