Lëvizja BESA pyet Qeverinë:Çka po fshihet pas Kontratës për mbikëqyrje të ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10-D?

Çmimi fillestar sipas Kontratës Bazë me Granitin kap vlerën prej 14.2 milion euro – e lidhur në janar të vitit 2020.

Marketing

Afati i përfundimit te punimeve u tha se do ishte brenda 18 muajve, pra një vit e gjysmë.

D.m.th në nëntor të vitit 2021, filloi asfaltimi i 2 kilometrave autostradë dhe 48 % e punëve kanë qenë të realizuara.

Nëse në nëntor të vitit 2021, 48 % e punëve të kontratës Bazë që kap vlerën prej 14.2 milion eurove kanë qenë të realizuara, përse në janar të vitit 2023 firmoset kontratë e re me Granitin për po të njëjtat 2 km me vlerë prej 11.4 milion euro?! Nga dolën këto punë shtesë? Prej këtu fillon të qelbet puna dhe kjo tani më duhet të jetë një çështje për Prokurorinë dhe organet e hetimit.

Përse asnjë nuk interesohet nga na dolën këto punë shtesë? A ka ndonjë konstatim të këtillë nga organi mbikëqyrës? Ku është transparenca e harxhimit të parave publike?

Nëse janë mangësi në projektin themelor, kush është projektuesi dhe kush është reviduesi i këtij projekti?

A janë thirrur në përgjegjësi projektuesi dhe reviduesi ?

Përse gjatë procesit të furnizimit publik për përzgjedhje të ndërmarrjes ndërtuese për punët shtesë ka pasur vetëm një ofertues? Pra vetëm oferta e Granitit?

Kontrata bazë 14.2 milion euro + Kontratë shtesë 11.4 milion euro = 25.6 milion euro).

Dmth për 2 km autostradë pa tunel vetëm me një mbikalim do të paguhen gati 13 milion euro për kilometër gjatësi!!! Alo! Kush cilin po mundohet ta mashtrojë me këtë përrallë kalamajsh?

Kjo është puro vjedhje, vjedhje ashiqare i thotë populli, apo vjedhje për ditë me diell.

Ndërtimi i një pjese të korridorit 8 , edhe atë Tetove – Gostivar, Gostivar – Bukojçan dhe Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë) si dhe një pjesë të Korridorit 10-d Prilep – Manastir, duhej që të fillojë pasi të bëhej përzgjedhja e ndërmarrjes që do ta përgatiste marrëveshjen me Bechtel-Enka dhe do ta bënte mbikëqyrjen e punimeve në vazhdim.

Përpjekja e parë për përzgjedhje të Mbikëqyrësit përfundoi pa rezultat, pasi që oferta më e mirë e dorëzuar nga Konzorciumi i udhëhequr nga kompania kroate IGH nuk ishte e pranueshme për Qeveritë aktuale, pasi që sipas analizave shtesë kishin zbuluar se oligarkë rus janë në pronësi të kompanisë IGH.

Pastaj përsëri u shpall tender për përzgjedhje të ndërmarrjes për Mbikëqyrje.

Pas përfundimit të procedurës për furnizim publik të Mbikëqyrësit dhe nënshkrimit të marrëveshjes me përfaqësuesin e Konzorciumit, nuk kalon asnjë dite pa u tronditur opinioni i gjere publik me skandale.

Nëse analizohet marrëveshja e publikuar në faqen e Byrosë për furnizime publike, mund të konstatohet gjendja si në vijim:

Periudha e angazhimit të Firmës Mbikëqyrëse për fazën e negocimit dhe ndërtimit është: 46 muaj (pra më pak se 4 vite). Vlera e kontratës është 26.2 milion euro.

Në personelin e Mbikëqyrësit janë të parapara rreth 90 pozicione të ndryshme. Pasi Lista e Personelit është publike dhe çdokush ka qasje në faqen e Byrosë për furnizime publike dhe mund ta lexojë, vërehet që në asnjë pozicion nuk ka asnjë shqiptar të vetëm, bile as për pozicionin e përkthyesit të paktën!

Çka ka bërë partia shqiptare në pushtet 22 vitet e kaluara? Edhe po të mos kishte ekzistuar ndonjë i tillë, për 22 vite pushtet absolut do ishte dashur që ta krijonin të paktën një ekspert rrugësh. Por kjo punë nuk u ka interesuar sepse fokusi i interesit të tyre po del se ka qenë vetëm pasurimi i tyre në kurriz të qytetarëve si taksapagues të këtij shteti!!!

Rexhep Asani (arkitekt), departamenti për Transport dhe Lidhje i Lëvizjes BESA

Marketing