Lexoni patjetër këtë lajm para se të hapni llogari në rrjetin social Threads

Dhjetëra miliona njerëz i janë bashkuar rrjetit më të ri social nga Meta Platforms, Threads – i krijuar për t’i bërë konkurrencë platformës Twitter

Marketing

Platforma e re, e cila është pjesë e Instagram-it, lejon njerëzit të regjistrohen duke përdorur llogaritë e tyre në Instagram. Por, ata që duan t’i bashkohen këtij rrjeti social, duhet ta kenë parasysh që nëse duan ta fshijnë pastaj llogarinë e tyre në këtë platformë, bashkë me të do t’ju fshihet edhe llogaria e Instagramit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Sipas grupit “Meta Creators Community”, mundësia e vetme aktualisht është që të deaktivizoni llogarinë dhe në këtë mënyrë postimet dhe interaksionet tuaja nuk shfaqen derisa ta riaktivizoni llogarinë sërish.

“Në këtë moment, ju nuk mund ta fshini profilin tuaj në Threads pa e fshirë edhe llogarinë tuaj të Instagramit. Jemi duke punuar në këtë çështje. Ndërkohë, ju mund të deaktivizoni në çdo kohë profilin tuaj në Threads. Deaktivizimi i llogarisë në Threads nuk do të deaktivizojë llogarinë tuaj të Instagramit. Nëse e deaktivizoni profilin tuaj në Threads, postimet dhe reagimet tuaja do të jenë të padukshme në Threads derisa ta aktivizoni përsëri”, është sqaruar në këtë grup.

Në Threads, përdoruesit mund të bëjnë postime me shkrim – me më pak se 500 shkronja e shenja – dhe të përfshijnë në to fotografi dhe video me gjatësi maksimale prej 5 minutash. Threads i ngjason shumë rivalit të tij, Tëitter – me përmbajtje të shkurtër tekstuale, pëlqime dhe ripublikime.

Aktualisht, qasja në Threads mund të bëhet vetëm përmes aplikacionit të tij, për platformat mobile iOS dhe Android, teksa, njëherë, nuk ekziston një version për kompjuterë, ndërsa Meta nuk ka treguar se kur mund ta ofrojë një të tillë.

I ndërtuar nga ekipi i Instagram-it, Threads ju jep përdoruesve mundësinë që t’i ndjekin përnjëherë të gjitha llogaritë që tashmë i ndjekin në Instagram.