Ligji për Aksion Klimatik, Nuredini: Nevojitet miratim dhe zbatim nga të gjithë

Ligji për aksion klimatik duhet të miratohet dhe të zbatohet nga të gjitha institucionet, deklaroi ministri i ambientit, Naser Nuredini, duke e komentuar raportin e Komisionit evropian në pjesën e përparimit të vendit lidhur me ndryshimet klimatike. Ligji duhet miratuar për ne e jo pse i duhet BE-së. Ai theksoi edhe nevojën e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrjet e tyre sa i përket ndryshimeve klimatike.

Marketing

“Jemi të gatshëm ta miratojmë ligjin për aksion klimatik, por idea jonë është që të përfshihen të gjitha institucionet në finalizimin e tij, me qëllim që më pas ato të jenë të gatshme ta implementojnë. Për mua si ministër është me rëndësi të gjitha institucionet ta implementojnë atë ligj, e jo vetëm të miratojmë ligj pse e kërkon BE-ja.”,- tha ministri i ambientit, Naser Nuredini.

Në Samit të pranishëm ishin edhe përfaqësues të ambasadave të huaja në vend.

“Së bashku me përfaqësues të Ambasadave nga Suedia, Italia, Britania, së bashku do të diskutojmë për ndryshimet klimatike, se si ato ndikojnë, jo vetëm në vend por në botë në përgjithësi. Sot kemi mundësi të dëgjojmë zërin e të rinjve për atë që më të vërtet e kanë të rëndësishme dhe këtë zë ta dëgjojnë edhe politikanët dhe shoqëria.”,- tha një përfaqësues.

“Shkatërrimi i ambientit jetësor dhe ndryshimet klimatike janë sfidat më të mëdha me të cilat përballemi sot. Kjo është një mundësi të dëgjohet zëri i rinisë ta shprehin mendimin e tyre. Nga ana tjetër njerëzit që i bëjnë politikat shtetërore të bartin përgjegjësi për hapat e tyre.”,- theksoi një përfaqësues.

Partner i projektit është UNICEF së bashku me Ministrinë e Ambientit, atë të Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Arsimit.