Likovë, fillon sanimi i rrugës Sllupçan-Runicë

Kanë filluar punimet rreth sanimit të rrugës lokale në gjatësi prej 3 km, e cila lidh fshatin Sllupçan me fshatin malor Runicë të komunës së Likovës.

Marketing

Banorët e fshatit për TVM2 u shprehën se gjatë vjeshtës dhe dimrit, sidomos gjatë të reshurave të shiut e borës, kishin vështirësi të mëdha të kalonin rrugën me automjete për shkak të gjendjes së mjerueshme të këtij aksi rrugor.

“Siç mund ta shihni, po bëhet shumë mirë, ne si fshat malor, ku prej fshatit Sllupçan deri në Runicë i ka 6 km, 3 prej tyre janë me asfalt e 3 km tjera patën mbetur kështu siç është, në gjendje të mjerueshme, por ja që sot filluan punimet e me shpresë se do të bëhet mirë.”,– tha banori i fshatit Runicë.

“Kjo rrugë është jetike për fshatarët, nuk ka qenë e tejkalueshme për makina deri më tani, kemi hasur mjaft probleme, baltë shumë, por edhe më keq ishte gjatë të reshurave të borës, kështu që është sukses i madh nëse kryhet ashtu sikurse ka nisur.”,- tha  banori i fshatit Runicë.

Kreu i komunës së Likovës, Erkan Arifi, thotë se ky është një investim i përkohshëm dhe se asfaltimi do të bëhet pasi të ndërtohet Diga mbi fshatin Sllupçan, e paralajmëruar nga Ministria e Bujqësisë.

“Po bëjmë vetëm tamponimin e rrugës, për arsye se këtu është paraparë ndërtimi i Pendës, që do të thotë se ky investim do të jetë i përkohshëm, pasi të ndërtohet Penda nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, pastaj do të asfaltohet rruga, por e pamë të arsyeshme dhe të patjetërsueshme që të intervenojmë tani.”,- u shpreh  kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.

Ky investim po realizohet me mjete të siguruara nga buxheti i komunës së Likovës dhe se i njëjti pritet të përfundojë brenda dy javëve, varësisht nga kushtet klimatike.