Likovë – Opajë, përurohet trotuari i fshatit me gjatësi prej mbi 1 kilometër

Në fshatin Opajë të komunës së Likovës, sot u bë përurimi i ndërtimit të trotuarit i cili përshkon gjatë tërë fshatit në një gjatësi prej mbi 1 kilometër.

Marketing

Për TVM2 banorët e fshatit thanë se me ndërtimin e trotuarit, tani ndjehen më të sigurt dhe më të lirë në qarkullim dhe kryerjen e obligimeve të tyre brenda fshatit, por siç thonë ata edhe fëmijëve të tyre u është lehtësuar vajtja në shkollë.

“Ky projekt u realizua në bashkëpunim me banorët e fshatit, komuna ka siguruar mjetet e nevojshme si pllakat e betonit, tamponin, rërën, skajoret e trotuarit ndërsa banorët e fshatit siguruan punën e dorës. Është shumë projekt i rëndësishëm pasi që është rruga kryesore e fshatit e cila më herët u asfaltua, sakaq fëmijët, banorët tanë ishin të rrezikuar nga komunikacioni, e tani mundësuam një lëvizje më të lirë dhe më të sigurt për banorët e fshatit Opajë.”,- tha kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.

“Ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe për shkak se është karakteristikë për fshatin tonë, pasi lidh komunën e Likovës me qytetin e Kumanovës si dhe brezin kufitar, ka qenë shumë i domosdoshëm ky investim.”, tha Bujar Isufi nga Këshilli Iniciues për Ndërtimin e Trotuarit.

“Fëmijët tanë tani do të jenë më të sigurt në qarkullim në lëvizje e sipër, e kemi pritur moti kohë ndërtimin e këtij trotuari e deshi Zoti mbaroi dhe u realizua, shpresojmë se edhe projekte tjera në fshat të kryhen.”,- tha një banor i fshatit.

Nga organet komunale të komunës së Likovës paralajmëruan se në të ardhmen do të realizohen edhe në fshatrat e tjera këso lloj projektesh, që janë në dobi të banorëve.

Marketing