Lloga: Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk guxon të jetë çështje private, patjetër të ketë përgjegjësi penale

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga mori pjesë në Konferencën Rajonale “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft” që u mbajt në Prishtinë, ai theksoi se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk guxon të jetë çështje private, patjetër të ketë përgjegjësi penale juridike.

Marketing

“Në nivel global, të dhënat tregojnë se:

Më shumë se pesë gra ose vajza janë viktima të vrasjeve çdo orë nga dikush në familjen e tyre Pothuajse çdo e treta grua është ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe/ose seksuale të paktën një herë në jetën e saj.
86% e grave dhe vajzave jetojnë në vende pa mbrojtje ligjore kundër dhunës me bazë gjinore.
Me fushatën e sivjetme Investo për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, po i bashkohemi 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, e cila filloi më 25 nëntor, Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, ndërsa do të përfundojë më 10 dhjetor, kur do të shënojmë Ditën e të drejtave të njeriut.
Republika e Maqedonisë ishte ndër vendet e para që në vitin 2011, nënshkroi Konventën e Stambollit, e cila hyri në fuqi në korrik të 2018-ës.
Në shkurt të vitit 2023 u miratua Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, me të cilin u bë harmonizimi me Konventën e Stambollit.
Për herë të parë kriminalizohet dhuna me bazë gjinore ndaj grave, që do të thotë dhunë e drejtuar kundër gruas për shkak të përkatësisë së saj në gjininë femërore.
Futen vepra të reja penale: Femicidi gjegjësisht vrasja e gruas apo vajzës deri në 18 vjet, Gjymtimi i organeve gjenitale femërore, Përndjekja dhe Ngacmimi seksual.
Për të parandaluar viktimizimin, viktimat e të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave, është e nevojshme të marrin mbrojtje në kohë dhe gjithëpërfshirëse, përmes shërbimeve mbështetëse dhe mbrojtëse.
Avancimi i sistemit për qasje në drejtësi për viktimat, është prioritet në aktivitetet programore të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë drejtim, dua të njoftoj se në vitin 2022 është miratuar Ligji për pagesën e kompensimit në të holla për viktimat nga veprat penale të dhunshme.
Hulumtimi i OSBE-së mbi dhunën ndaj grave në Maqedoninë e Veriut e vitit 2019, tregoi ndër të tjera, se 45% e grave kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike dhe/ose seksuale të kryer nga një partner aktual ose ish-partner intim.
Një pjesë e konsiderueshme e grave në Maqedoninë e Veriut (37%) treguan se miqtë e tyre do të pajtoheshin që gruaja duhet ta dëgjojë bashkëshortin e saj. Pothuajse gjysma besojnë se dhuna në familje është çështje private dhe duhet trajtuar brenda familjes, ndërsa 32% konsiderojnë se është e rëndësishme që burri t’i tregojë partneres së tij se kush është shefi.
Këto besime tradicionale paraqesin një sfidë të rëndësishme për luftën kundër dhunës ndaj grave në Maqedoninë e Veriut”, tha në fjalën e tij Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga.

Marketing