Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i priti në takim anëtarët e redaksisë së posaçme në RMV për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga Prorektori për Bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, zhvilloi sot një takim me anëtarët e Redaksisë për përgatitjen e Enciklopedisë Shqiptare. Në këtë takim të kryesuar nga Prof. Dr. Valbona Toska – anëtare e Redaksisë qendrore (Shqipëri), morën pjesë edhe Prof. Dr. Aziz Pollozhani – redaktor përgjegjës i Redaksisë së posaçme për Republikën e Maqedonisë, si dhe anëtarët e saj, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, Prof. Dr. Fehari Ramadani, Prof. Dr. Dita Starova – Qerimi dhe Prof. Dr. Zeqirja Ibrahimi.

Marketing

Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli shprehu konsideratat më të larta për ekipin e redaksisë nga vendi ynë dhe vlerësoi faktin që jemi pjesë e ecurive dhe projekteve të përbashkëta shkencore me rëndësi për kombin tonë. Ai theksoi se, tek Universiteti i Tetovës do të gjejnë mbështetjen e duhur institucionale për realizimin me sukses të këtij projekti shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ndërkaq, Prof. Dr. Valbona Toska deklaroi se Universiteti i Tetovës me përfaqësuesit e tij, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani dhe Prof. Dr. Fehari Ramadani është i përfaqësuar denjësisht në këtë projekt me rëndësi kombëtare. Ajo tha se, në pesë vitet e ardhshme, aq sa zgjat përgatitja e Enciklopedisë Shqiptare, na pret një punë voluminoze, por bazuar në kapacitetet profesionale të anëtarëve, ekipit të punës do të arrijnë ta kryejnë sipas parashikimeve.

Prof. Dr. Aziz Pollozhani dhe anëtarët tjerë të redaksisë së lartpërmendur e falënderuan rektorin e UT-së për pritjen dhe gatishmërinë për ta përkrahur punën e tyre studimore, sikundër nënvijëzuan se botimi i Enciklopedisë ku përfshihet edhe pjesa shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, konfirmon arritjen arsimore, shkencore dhe kulturore të një populli që ka vlera identitare.

Marketing