Macron ka përshtypjen se Putin do ta marrë gjithë Ukrainën

Presidenti francez Emmanuel Macron ka folur sërish në telefon me homologun e tij rus Vladimir Putin, në një bisedë që zgjati 1 orë e 45 minuta, ka njoftuar presidenca franceze.

Marketing

Një zyrtar francez ka thënë se ende s’i kishin detajet se çka është folur mes dy udhëheqësve, por se pas kësaj telefonate përshtypja e Macronit ishte që Putin e ka në qëllim ta merrte gjithë Ukrainën, raporton BBC.

Macron është ndër liderët botërorë që kanë biseduar me Putinin ditët e fundit, duke shpresuar të ndërmjetësojnë një armëpushim në Ukrainë.

Këtë të diele, Putin ka folur edhe me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i cili i ka bërë thirrje për ndërprerje urgjente të armiqësive.

Sipas Kremlinit, Putin i ka thënë Erdoganit se negociatorët ukrainas duhet të kenë një “qasje më konstruktive” në bisedime.

“U nënvizua se pezullimi i operacionit special është i mundur vetëm nëse Kievi ndalon operacionet ushtarake dhe përmbush kërkesat e njohura ruse”, ka thënë Kremlini.

Rusia e quan agresionin e saj në Ukrainë një “operacion special”.