Mali i Zi fusnotë Kosovës, Abazoviç: Gabime të tilla të mos përsëriten

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në një takim të zhvilluar të premten me presidentin e shtetit malazez, Milo Gjukanoviç deklaroi se ishte një gabim teknik që dokumenti i Ministrisë së Shëndetësisë shoqërohej me një fusnotë të vendosur te emri i Kosovës.

Marketing

Më vjen keq që kjo ndodhi. Ne mbetemi të mendimit se nuk ka ndryshime në këtë çështje. Shpresoj se gabime të tilla nuk do të përsëriten. Sa i përket çështjes së Kosovës, të gjitha palët duhet të jenë të relaksuara”,- citohet të ketë thënë Abazoviç gjatë takimit.

Të martën, Ministria e Shëndetësisë së Malit të Zi vendosi një fusnotë në një dokument që paraqet masa të reja për të luftuar pandeminë e koronavirusit, ku përmendej edhe Kosova.

Menjëherë më pas Ministria e Shëndetësisë reagoi për këtë çështje dhe tha se gjatë përgatitjes të masave në luftën kundër pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, ndodhi një gabim teknik, gjatë të cilit Kosova ishte shënuar me një fusnotë.

Fusnotën (*) për Kosovën e vendosin vetëm vendet që nuk e njohin atë si shtet duke nënkuptuar rezolutën e 1244 të OKB-së.

Mali i Zi e ka njohur zyrtarisht Kosovën, por rikthimi i fusnotës në një dokument zyrtar në ditët e para të qeverisë së re shkaktoi reagime të shumta në Prishtinë.

Marketing