Manipulimi me sasinë e produkteve dhe çmimeve – Inspektorët në terren!

Inspektorët e tregut në terren. Pas tyre edhe ekipi ynë. Aksioni u realizua në disa nga marketet e Shkupit për kontrollin e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, shkruan Alsat.

Marketing

Nga Drejtoria e inspektoratit shtetëror të tregut thonë se kanë intensifikuar inspektimet në çdo pikë shitje, pas ankesave të qytetarëve.

Dy nga inspektorët që hasëm në Saraj e mbushën një shportë me produktet që do t’i kontrollojnë me detaje.

Nëse shkruhet se është 470gr dhe ka +/- 5gr veprohet sipas ligjit të Metrologjisë dhe të Ligjit për mbrojte të konsumatorëve, si vepër e mashtrimit të klientëve.

“Sot nuk e bëjmë atë, për momentin kontrollojmë vetëm nëse tregtari i përmbahet vendimeve të Qeverisë për kufizimin e marzhës të prodhimet bazë”, thotë një inspektor.

Hapi tjetër janë dokumentet. Produktet ushqimore që dyshohet se mund të ketë manipulime eventuale dërgohen në zyrë për t’i shikuar ekuivalentin e çmimit dhe TVSH-së me sasinë dhe marzhën e caktuar në fuqi.

“Inspektorët e Inspektoratit shtetëror të tregut janë vënë në terren në marketet dhe shitoret për të kontrolluar produktet ushqimore bazë, të cilat janë në marzhën e qeverisë në këtë krizë ekonomike. Tani për momentin po shikohen se a janë të gjitha të vendosura sipas rregullores së kërkuar nga shteti”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Por, jeta e përditshme e qytetarëve sa vjen e rëndohet. Ata thonë se dimri vetëm do tu shtoj problemet. Qytetarët ankohen për çmime të larta, madje edhe të paarritshme për ta.

“Cilësia patjetër të jetë në nivel dhe çmimet solide. Nga buxheti familjar sa shpenzoni për prodhimet ushqimore në muaj? Shumë! Çfarë nënkupton kjo, sa përqindje nga të hyrat? 80%! Si do të jetë dimri? Ah dimri i gjatë, por nuk e dimë si do të ja dalim të kursejmë për tu ngrohur”, thotë një qytetare.

“Unë e shpenzoj gjithë pensioni tim, 18 mijë denarë dhe paga djalit 30 mijë do të thotë 48 mijë denarë në muaj i shpenzojmë e nuk na dalin. A janë të mjaftueshme në këtë krizë, a duhet të ndërmerret diçka? Po duhet ti rritin pensionet dhe pagat për të mundur të ia dalin njerëzit”, shprehet një qytetare tjetër.

Nga Inspektorati shtetëror i tregut mësohet se duhen së paku edhe 2/3 e inspektorëve sa janë aktualisht për të mbuluar gjithë tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Kjo, sipas tyre, nënkupton që Inspektorati në këtë kohë krize po operon me gjithë kapacitetin por është vetëm 1/3 e stafit të tyre profesionistë, të cilët nuk arrijnë në kohë të kontrollojnë tregun e zhvilluar me shumë pika të shitjes në dekadën e fundit