Maqedoni, shifra marramendëse shpenzohen nëpër bastore, ku mbeti ligji i ri?

Shifra marramendëse janë zbuluar nga Drejtoria e të Ardhurave Publike për shpenzimin e qytetarëve të Maqedonisë në bastore. Ata kanë lënë 11 miliardë e 537 milionë e 311 mijë denarë, ndërsa kanë fituar vetëm 8 miliardë e 714 milionë e 531 mijë denarë. Kështu tregon statistika e cila ka llogaritur periudhën nga 1 janari i vitit 2018 deri më 30 nëntor 2018.

Marketing

Nga ana tjetër, në emisionin Click Plus deputeti i BDI-së, Alimi pranoi se ekziston mospajtim në mes BDI-së dhe LSDM-së rreth propozim-ligjit për bastet dhe lojërat e fatit. Shfaqi pakënaqësi edhe në adresë të Ministrisë së Financave.

“Ministria e Financave konkretisht ka hartuar dhe propozuar një propozim ligj i cili është në Qeveri, dhe nuk ka marrë dritë jeshile nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Ai propozim ligj jo që e sanksionon largësinë apo rregullon funksionimin e këtyre por i mbush kazinot ekzistuese me aparate shtesë”, tha Ejup Alimi- Deputet nga BDI.

Nga ana tjetër, Dervish Alimi nga Lëvizja Besa tha se me këtë propozim ligj e ri parashikohet vetëm 300 deri më 500 metra largësi nga objektet e interest, dhe këtë sipas tij, Alimi e fsheh.

Xhemal Avdiu nga Lëvizja Anti-Bixhoz tha se nuk pajtohen për tre gjëra në propozim ligjin e dorëzuar.

“E para është distanca e objekteve të lojërave të fatit, kërkesa jonë është tre kilometra larg vendbanimeve, larg shtëpive tona pasi që shtëpitë tona i llogarisim objekte të shenjta dhe nga ajo protestë lindën edhe dy kërkesa tjera. Pesë përqindëshi i fitimit nga lojërat e fatit të destinohen për rinovimin e objekteve në interes publik, shkolla, çerdhe, spitale. Dhe kërkesa e tretë që mendojmë se është shumë me rëndësi, pas dy kërkesave tjera, strategji për arsim dhe edukim të fëmijëve tanë nga pasojat që i sjell bixhozi”, tha Xhemal Avdiu- Lëvizja Anti-Bixhoz.

Ndryshe, qytetarët në organizim të Lëzjes “Anti-Bixhoz”, bashkë me përfaqësues të bashkësive fetare, partive politike dhe shoqërisë civile protestuan në Tetovë më 21 dhjetor.