Maqedonia ndjek shembullin e Shqipërisë, paralajmëron mbylljen e kazinove

Partitë shqiptare janë të gatshme të përkrahin ligjin për mbylljen e lojrave të fatit në Maqedoni, ata thonë se është detyrë e Qeverisë që të propozoj një ligj të tillë. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë Muhamed Hoxha thotë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë përkatësisht Ministria e Financave është në fazën e përgatitjes së ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për lojërat e fatit.

Marketing

“I njëjti është publikuar në platformën ENER. Me qëllim që të dëgjohen mendimet e opinionit përpara se të fillojë definimi i tekstit final të Propozim-ligjit. Pas definimit të tekstit final i njëjti do të jetë në debat qeveritarë dhe më pas do të dërgohet për miratim në Parlamentin e Maqedonisë”, thotë zëdhënësi Muhamed Hoxha.

Ai shton se për çdo vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë opinioni do të jetë i njoftuar në kohë.
Burime qeveritare thonë për Gazetën Lajm se seriozisht do të shqyrtohet edhe mundësia që të përcillet shembulli i Shqipërisë, ku kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar mbyllje të kazinove dhe bastoreve pas vitit të ri.

Edhe partitë politike tregojnë gatishmëri për të përkrahur mbylljen e kazinove dhe bastoreve.

Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti për Lajm thotë se është pak hipotetike, përderisa nuk ka propozim konkret nga Qeveria.

“Në qoftë se do ketë kuptohet që do e marrim vendimin më të mirë në favor të qytetarëve duke i luftuar këto fenomene që po ngulfatin shpresën e rinisë, dhe po bëhen element degjenerues i mbarë shoqërisë së sonë”, thotë Flakron Bexheti.

Nga Lëvizja Besa- Shkup, të cilët janë pjesë e shumicës parlamentare nuk përjashtojnë mundësinë për përkrahje të ligjit të tillë.

“Ne na duket qëndrim i drejtë ai i Qeverisë shqiptare dhe ne do ta kishim diskutuar në Qeveri mundësinë e tillë. Gjithsesi mbetemi të përkushtuar në luftën kundër veseve shoqërore”, thotë zëdhënësi i Lëvizjes BESA- Shkup, Orhan Murtezani.

Ndërkaq, nga Lëvizja Besa krahu i Bilall Kasamit, thonë se kanë qëndrim të qartë rreth këtyre dukurive negative të cilat sjellin efekte negative në shoqëri dhe dëmtojnë familjen.

Ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë me 75 vota “PËR”, miratoi propozim ligjin për mbylljen e bastoreve dhe kazinove në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga janari i 2019.

Marketing