Maqedonia prej vendeve me trafikun më të rrezikshëm në Evropë

Maqedonia ka gjendjen më të keqe të sigurisë në Evropë. Kjo pasi që statistikat tregojnë se në Evropë, shkalla e aksidenteve me pasojë vdekjen është afro pesë përqind në çdo 100 mijë qytetarë, ndërsa në Maqedoni, kjo përqindje është mbi 7 përqind.

Marketing

Sipas ministrit të transportit Goran Sugarevski, këto numra jan tejet dëshpëruese për Maqedoninë, prandaj do të vijojnë kontrolle më të rrepta të sigurisë por edhe do të përmirësohet infrastruktura.

Goran Sugarevski, ministër i Transportit

“Secili prej nesh njeh të paktën një person që e ka humbur jetën në aksident trafiku. Nëse bëjmë krahasim me BE-në, 5,5 përqind në çdo 100 mijë qytetarë humbin jetën në aksidente trafiku, ndërsa në Maqedoni, ky numër është 7,1 përqind në 100 mijë qytetarë, që është e frikshme. Prandaj ne doemos duhet të bëjmë gjithçka që ta ulim këtë numër, por jo vetëm si numër, por ruajtja e një jete njeriu është pasuria më e madhe. Po tentojmë ta zbatojmë këtë qëllim në vepër”

Zëvendësministri i Brendshëm Agim Nuhiu paralajmëroi vazhdimin e kontrolleve të rrepta të policisë në komunikacion, përfshirë edhe në Çair, por bëri apel edhe deri tek qytetarët që të ngrisin vetëdijen për vlerën e jetës së tyre dhe të tjerëve përreth.

AGIM NUHIU, ZV/MINISTËR I BRENDSHËM

“Qëllimi i MPB-së nuk është vetëm realizimi i sanksioneve për të rregulluar komunikacionin, por edhe dispozitivi i normës që është vetëdija e qytetarëve. Ne jemi të interesuar në radhë të parë që të ngrisim vetëdijen tek qytetarët se si ata do duhet të zbatojnë dispozitivin e normës, e nëse ata nuk veprojnë sipas saj, ne jemi të detyruar ta zbatojmë sanksionin. Kemi plane strategjike për të mbuluar jo vetëm këtë rrugë por edhe gjithë të tjerat ku kemi indikacione se rrezikohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve”

Drejtori i Ndërmarrjes për Rrugë Shtetërore Zoran Kitanov paralajmëroi se do të vendosen kamera në shumicën e rrugëve rajonale e magjistrale në mënyrë që të detektohen shkelësit e ligjit, përfshirë edhe korridorin dhjetë.

ZORAN KITANOV, DREJTOR I NP PËR RRUGË SHTETËRORE

“Apeloj deri tek qytetarët. Ekzistojnë radarë fiksë. Është e papërgjegjshme që dikush të vozisë 180 kilometra në orë në tunel. Po, ka kontrolle, por duhet të ketë edhe dënime. Ne kemi bërë mjaftë kontrolle dhe analiza. Për dy ditë, i kemi matur pesë kamionë me nga 70 tonë peshë. Diçka e pabesueshme. Një absurd në një shoqëri normale dhe bashkëkohore”

Në buletinet e policisë, për çdo ditë shënohen dhjetëra aksidente trafiku me udhëtarë të lënduar rëndë ose që kanë humbur jetën, prandaj ministri i transportit tha se në vjeshtë do të formohet një agjenci ose trup ekzekutiv i cili do të merret me rritjen e nivelit të sigurisë nëpër rrugët e Maqedonisë./SHENJA

Marketing