Marsh memorial do të organizohet të shtunën, në dyvjetorin e aksidentit tragjik në Llaskarcë. Marsh/maratona këtë vit do të jetë 24 kilometra dhe pjesëmarrësit do të kalojnë nëpërmjet autostradës Tetovë-Gostivar.
Alpinisti sportiv Zamir Mustafai është njëri nga iniciatorët e marshit memorial i cili përmendi se pandemia i dikton kushtet dhe për ato arsye ka edhe ndryshim të aktiviteteve të planifikuara.
“Marsh/maratona e vitit të kaluar nga Llaskarca deri në Gostivar ishte rreth 50 kilometra, këtë vit e shkurtuam por pa e humbur nga simbolika. Marshi duhet të fillojë te rampa pagesore Tetovë dhe të përfundojë në sheshin e qytetit në Gostivar me ceremoni simbolike. Vëmendje të veçantë do të përkushtojmë në sigurinë, si dhe në lidhje me qarkullimin e komunikacionit, ashtu edhe në kuptim të mbrojtjes nga Kovid-19, duke i respektuar rreptësishtë protokollet për ngjarje publike në hapësirë të hapur”, tha Mustafai, përcjell Zhurnal.mk
Ai në emër të organizatorëve e përcjelli porosinë deri te institucionet kompetente t’i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për siguri më të madhe në komunikacionin e rrugëve dhe të mos përsëriten tragjedi të tilla.
Qytetarët dhe anëtarët e disa klubeve sportive me marshin duan ta shënojnë ditën tragjike dhe të solidarizohen me familjet e viktimave dhe të ndihmojnë në tejkalimin e dhimbjes nga humbja.
Ngjarjen në mënyrë logjistike do ta mbështesë Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me policinë dhe institucionet tjera.
Më 13 shkurt të vitit 2019 rreth orës 17:00, autobusi i kompanisë “Durmo Turs”, i cili ka transferuar udhëtarë nga Shkupi drejt Gostivarit, në fshatin Llaskarcë doli nga rruga. Në fatkeqësinë jetët i humbën 16 udhëtarë, ndërsa tridhjetë të tjerë u lënduan. Gjykimi për këtë rast zgjat ende.