MASH: Kryetari i komunës së Gostivarit të mos e përfshijë politikën në procesin arsimor

Duke pasur parasysh se përsëri aktualizohet tema në lidhje me shkarkimet dhe emërimet e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme të Gostivarit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e detyruar të sqarojë përsëri se është institucion i cili nuk vepron me vetëdëshirë dhe sipas dëshirave të individëve, por vepron vetëm në përputhje me aktet ligjore të vendit dhe vendimeve të institucioneve, organeve dhe trupave përgjegjëse për kontrollin, mbikëqyrjen dhe marrjen e vendimeve për situata, sikurse është në rastin konkret situata në Komunën e Gostivarit.

Marketing

Konkretisht, sikurse është i informuar tashmë opinioni, pas inspektimit të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, janë vërejtur një numër i parregullsive dhe mosrespektimi i ligjeve nga ana e kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe nga pushteti lokal në procedurat për shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve të shkollave. Bëhet fjalë për procedurë të parregullt të cilën kryetari e ka përsëritur dy herë e, që në të vërtetë është baza për marrjen e kompetencave në fushën e arsimit me detyrimin që të rikthejë situatën në gjendjen e përparshme.

Arsimi është një sferë në të cilën politika nuk duhet të involvohet dhe të shkaktojë dëme në procesin e shkollimit të nxënësve. Institucionet arsimore duhet të kenë drejtues të cilët nuk do të lejojnë në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë të dëmtohet procesi arsimor dhe edukimi i nxënësve.

Prandaj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në përputhje me kompetencat e marra Komunës së Gostivarit, si dhe duke respektuar dhe vepruar sipas vendimeve të Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurën Administrative dhe Procedurën e Marrëdhënieve të Punës në shkallë të dytë, me të cilat janë miratuar ankesat e drejtorëve të shkollave të Gostivarit të shkarkuar në mënyrë të paligjshme, ka marrë vendimet për kthimin e tyre në pozitat e punës nga të cilat janë shkarkuar në mënyrë të paligjshme.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e detyruar të respektojë vendimet e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurën Administrative dhe Procedurën e Marrëdhënieve të Punës në shkallë të dytë dhe të veprojë në përputhje me të njëjtat, që do të thotë se vendimet e marra në fakt janë veprim sipas vendimeve të Komisionit të Shkallës së Dytë.

Edhe një herë, i bëjmë thirrje Komunës së Gostivarit, kryetari të kësaj komune dhe udhëheqësisë së saj që të mos fajësojnë kuturu dhe të mos gënjejnë vetëm për shkak të qëllimeve të tyre politike dhe të mos e përfshijnë politikën në procesin edukativo arsimor, sepse në këtë situatë dëmet u shkaktohen vetëm nxënësve dhe procesit edukativo arsimor.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut