Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë ka publikuar Planin për mbajtjen e mësimit me prezencë fizike në shkollat fillore dhe të mesme. Nga viti I ri shkollor, të gjithë nxënësit do të kthehen nëpër shkolla, por janë lënë edhe dy skenare rezervë – me ndarjen nëpër grupe ose mësim online, në rast të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.
Nga muaji shtator do të kthehet mësimi me prani fizike në shkollat fillore dhe të mesme. Hapja e plotë e shkollave për të gjithë nxënësit është i pari nga tre skenarët për vitin e ardhshëm shkollor, nga plani që e ka publikuar Ministria e Arsimit.
Ora mësimore do të zgjasë 40 minuta. Hyrja në shkollë do të lejohet me maskë mbrojtëse dhe dezinfektim të duarve për të gjithë të punësuarit dhe nxënësit, do të ketë shërbim për mbajtjen e rradhës për kontrollimin e hyrjes dhe daljes dhe për respektimin e distancës dhe të masave të tjera, para hyrjes në objektin e shkollës do t’u matet temperatura nxënësve dhe të punësuarve, ndërsa janë të ndaluara kontaktet fizike, përkatësisht përshëndetjet.
Skenari i dytë ka të bëjë me mësimin në distancë.
Në këtë rast, ora mësimore do të zgjasë 30 minuta, me pesë minuta kyçje. Dita e punës së nxënësit që do të ndjekë mësimin në distancë do të zgjasë nga tri deri në pesë orë (nga 60 minuta) në ditë, në varësi të moshës dhe do të ketë pushimi prej dhjetë minutash pas çdo ore ose aktiviteti.
Varësisht situatës me pandeminë është përgatitur edhe skenari i tretë – modeli i kombinuar për mësim.
Për nxënësit nga klasa e pestë deri në të nëntën është parashikuar mësim i kombinuar. Klasat do të jenë të ndara në dy grupe të nxënësve (prani fizike dhe online) që do të duhet të jenë të pandryshueshme. Shkollat e mesme në pajtueshmëri me kushtet hapësinore do ta organizojnë mësimin me prani fizike në një ose dy ndërrime, me ndërrimin e parë nga ora 7 e 30 dhe ndërrimi i dytë nga ora 13 e 30. Pas çdo ore mësimore do të ketë pushim të shkurtër në kohëzgjatje prej pesë minutave dhe pushim të gjatë në kohëzgjatje deri 20 minuta.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka publikuar planin për fillim të vitit të ri shkollor, por mbeten edhe paralajmërimet se i njëjti do të fillojë me reformat e paralajmëruara në pjesën e digjitalizimit. Zgjidhja ligjore u tërhoq nga Kuvendi, por sipas Qeverisë, me qëllim që ta kalojë filtrin e debatit publik.