Mbi 15 mijë qytetarë pritet ta dëgjojnë porosinë e papës

Mbi 15 mijë qytetarë nga i gjithë vendi, si dhe mysafirë të lartë, besimtarë dhe të huaj, kryesisht nga vendet fqinje pritet sot të jenë në rrugët e Shkupit për shkak vizitës historike të kreut të kishës Katolike Romake papa Françeskut.
Të gjithë qytetarët do të kenë qarkullim pa pengesa në qytet, por megjithatë më ngadalë dhe në pajtim me regjimin e posaçëm të komunikacionit, i cili është vendosur për shkak vizitës së papës.

Marketing

Ata që jetojnë apo punojnë në zonën qendrore të qytetit do të kenë qasje pa pengesa deri te shtëpitë e tyre dhe vendet e punës. Atyre që punojnë në qendër të qytetit u rekomandohet të dalin gjysmë ore më herët se zakonisht që të arrijnë në kohë në vendet e punës. Qytetarët sot është mirë ta shfrytëzojnë transportin publik që të qarkullojnë nëpër qytet , ndërsa ata që udhëtojnë për në Shkup nga qytetet tjera ta shfrytëzojnë qarkullimin hekurudhor. Të dy janë falas.

Siguria është në nivelin më të lartë, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme i ka angazhuar të gjitha kapacitetet me qëllim që vizita e papës të kalojë pa pengesa. Qendra klinike “Nënë Tereza” nuk do të mbyllet, por do të ndalohet parkimi i automjeteve, për ç’arsye autoritetet apelojnë që qytetarët për nevojat e tyre mjekësore ta shfrytëzojnë Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe Klinikën Universitare “Shën Naumi i Ohrit”.

Deri në këtë moment pothuajse të gjitha biletat janë shpërndarë por nëse edhe sot ka qytetarët të cilët dëshirojnë ta ndjekin liturgjinë e shenjtë në shesh do të duhet të regjistrohen, ndërsa ngjarjen do të mund ta ndjekin nga pjesa e pasme.

Marketing