Mbyllen shkollat në Çikago, shkaku i Covid-19

Nga hëna iu kthyen bankave shkollore, pas një pushimi dimëror. Por vetëm dy ditë më pas shkollat e Çikagos u mbyllën sërish me një vendim të Sindikatës së Mësuesve të qytetit, të cilët votuan të mërkurën për të kaluar me mësim në distancë për shkak të niveleve rekord të rasteve me COVID-19.

Marketing

Ky fakt nuk i pëlqeu aspak kryebashkiakes së Çikagos e cila po pretendon se “Unioni i Mësuesve” po u bënte presion anëtarëve për të mbështetur mësimin në distancë.

Edhe zyrtarët në distriktin e tretë më të madh shkollor në ShBA thonë se nuk do të kthehen në mësimin online në të gjithë zonën, pasi ndikoi keq në mësim-nxënien e fëmijëve dhe shëndetin e tyre mendor.

Megjithatë Sindikata e Mësuesve është e bindur se mungojnë protokollet e sigurisë së qarkut dhe si mësuesit ashtu edhe studentët janë të pambrojtur.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth gjysmë milion njerëz janë infektuar me COVID-19 vetëm për një ditë, shifër kjo rekorde e infektimeve që kur shpërtheu pandemia.

Për këtë shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, u bëri thirrje amerikanëve që të jenë të shqetësuar, por jo edhe të alarmuar, teksa diskutohet nëse koronavirusi është jashtë kontrollit në ShBA.