Më 12 shkurt skadon afati i dokumenteve, rrëmujë për nxjerrjen e dokumenteve personale

Sa vjen e ngushtohet afati për ndërrimin e dokumenteve personale, aq më të gjata bëhen radhët e qytetarëve që presin për të hyrë në pikën e vetme të ndërrimit të dokumenteve personale pa termin.

Marketing

Nervozë, lodhje, stres. Qytetarët të cilët shkojnë për të ndërruar dokumentet personale duhet të presin me orë të tëra për të kryer punë. Mes tyre ka pleq dhe të sëmurë që nuk mund të qëndrojnë në këmbë. Ankohen se persona të cilët kanë njohësi hyjnë nga dera e prapme dhe se nuk punojnë të gjitha sportelet.

“Unë që një orë jam duke pritur. Këtu si e shoh edhe tri-katër orë do të qëndrojmë. Shumë ngadalë, aspak nuk lëvizë.”, – tha një qytetar.

“Nga ora 10:00, ja tani ora është 15:00 askush nuk doli as të pyesë. Një njeri, një orë. Çfarë është kjo, kjo është katastrofë. Turp t’u vijë!”, – tha një qytetar tjetër.

“Në vend se të punojnë dhjetë sportele, punojnë tre sportele dhe shumë hyjnë prej asaj ane me njohësi apo me mito.”, – u shpreh një qytetar.

“Këtu jam nga ora 08:00. Gruaja ime është e sëmurë dhe presim me orë të tëra, kurse punojnë vetëm dy sportele dhe jo dhjetë siç kanë njoftuar.”, – u shpreh një qytetar tjetër.

Rrëmujë e njëjtë edhe në pikën për marrje të dokumenteve personale në objektin e RTVM-së. Edhe këtu qytetarët janë të mllefosur me pritjet e gjata.

“Këtu jam prej ora 09:00, ja tani është ora 15:00.”, – tha një qytetar.

“Pas shumë orëve pritje, më thanë që letërnjoftimi im pas dy muajve ende nuk është gati. Kjo është degraduese, është turp!”, – u shpreh një qytetare.

Nga MPB-ja thonë se janë marrë të gjitha masat që qytetarët të mund të ndërrojnë dokumentet deri në afatin e fundit, i cili është më 12 shkurt.

“MPB-ja maksimalisht i shfrytëzon të gjitha kapacitetet dhe i ka ndërmarrë të gjitha masat që qytetarët me kohë të pajisen me dokumentet personale me emrin e ri kushtetues të vendit.”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

MPB-ja njofton se të gjithë ata që nuk arrijnë të ndryshojnë të gjitha dokumentet personale nuk do të dënohen, por dokumentet e tyre nuk do të jenë të vlefshme në institucione dhe nuk do të mund të kalojnë as kufirin.