Mësimi online nuk do të nisë në shumë shkolla, shkak mungesa e pajisjeve

Vitin e ri shkollor me mësim nga distanca nuk do e nisin të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit. Për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, shumë familje nuk do të kenë mundësi që për fëmijët e tyre të sigurojnë kompjuter, laptop ose smarfon. Me këtë problematikë do të përballen edhe mësimdhënësit. Në shkollën fillore “Kultura” të fshatit Mateç të komunës së Likovës mbi 70 % e mësimdhënësve dhe nxënësve do të mbeten jashtë platformës kombëtare.

Marketing

“Viti i ri shkollor, shkollën tonë e gjen me këto vështirësi: mungesa e pajisjeve kompjuterike, sinjali i dobët i internetit, gjithashtu vlen të përmendet edhe disa vështirësi lidhur me përdorimin e platformës nacional online. Kemi mungesë të pajisjeve kompjuterike të arsimtarët ku mbi 70 % e arsimtarëve nuk kanë kompjuter nëpër klasa për të realizuar mësimin online. Normalisht edhe te nxënësit, shumica e nxënësve nuk kanë, sidomos kjo është e përfshirë më shumë te nxënësit me raste sociale”, u shpreh Fisnik Arfi, SHFK “Kultura” fsh.Mateç.

Sipas Arifit, në shkollën në fjalë mësojnë mbi 500 nxënës, ndërsa një numër i lartë i familjeve të tyre janë me gjendje jo të mirë ekonomike.

“Ne si shkollë, duke filluar nga drejtori, arsimtarët dhe nxënësit kemi kërkesë deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës që arsimtarët dhe nxënësit të furnizohen me laptop, kompjuter ose tabletë të cilët do të na ndihmojnë për realizimin e mësimit online, ndryshe do të hasim në shumë vështirësi”, Fisnik Arfi, SHFK “Kultura” fsh.Mateç.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se më 1 Tetor, vitin e ri shkollor më mësim nga distanca nuk do ta fillojnë 40 mijë fëmijë. Për të njëjtit mësimi do të sigurohet nga Televizioni kombëtar dhe duke ua dërguar materialet në shtëpi. Sipas dikasterit të Arsimit, periudha vijuese është shumë e shkurtër që fëmijëve në fjalë tu sigurohet zgjidhje për mësim online.