Meta: Zgjedhjet e ligjshme lokale 2019 më 13 tetor

Në një konferencë shtypi presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta i bëri thirrje kryemnistrit Rama “ të lejojë institucionet përkatëse të punojnë për zgjedhjet lokale të 13 tetorit

Marketing

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, përsëriti të enjten ( 1.08) se ” zgjedhjet lokale 2019 të 30 qershorit janë të paligjshme, ishin votim dhe jo zgjedhje”, dhe kërkoi zbatimin e dekretit të tij për zhvillimin e tyre më 13 tetor me Edi Ramën kryemnistër.

Në një konferencë shtypi në pasditen e së enjtes ai i bëri thirrje kryemnistrit Rama ” të lejojë institucionet përkatëse të punojnë për zgjedhjet lokale të 13 tetorit”

” Ftoj kryeministrin Rama që të reflektojë, të mos pengojë zbatimin e dekretit për 13 tetorin, ftoj KQZ-në të mos vijojë me paligjshmëri, ftoj partitë që duan dhe jo ato që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Presidenti Meta në konferencën për shtyp.

Ai theksoi që nuk ka kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Rama, por ” zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira, me pjesëmarrjen e të gjitha partive”.

“Më 30 qershor, nuk ka pasur zgjedhje të ligjshme në Republikën e Shqipërisë. Zgjedhjet e ligjshme, shtetërore janë më 13 tetor, që është data më e afërt që mund të garantonte përfshirjen e forcave opozitare në zgjedhje dhe në prag të 17 dhe 18 tetorit, kur merret vendimi për Shqipërinë lidhur me negociatat e anëtarësimit në BE”, tha ai në konferencën për shtyp.

Shkarkimi i Metës, dekretet e tij dhe Gjykata Kushtetuese

Kërkesa e Presidentit Meta, drejtuar kryemnistrit Rama që të lejojë institucionet, në rradhë të parë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale më 13 tetor , bëhet kur PS po vijon procedurat për shkarkimin e tij, pasi i konsideron,”antikushtetuese” dekretet e presidentit, që anulluan 30 qershorin dhe caktuan 13 tetorin për zhvillimin e Lokaleve 2019. Nëse janë apo jo antikushtetuese do ta vendosë Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të ngrihet, ndofta edhe brenda shtatorit. Por presidenti Ilir Meta tha të enjten, se vendimi i Gjykatës lidhur me dekretet e tij nuk prek zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor.

„ Çdo vendim i Gjykatës lidhur me dekretet e Presidentit, do të ketë efekt për të ardhmen jo për të shkuarën. Dekretet janë në fuqi dhe nuk e kthejnë dot 30 qershorin. Jemi në kushtet e paligjshmërisë së institucioneve”, theksoi ai.

Meta i quajti kryetarët e bashkive të dalë nga zgjedhjet e 20 qershorit të paligjshëm: “Nuk mund të ketë, p.sh. në Kavajë kryetar bashkie me votime një partiake dhe me pjesëmarrjen e gjashtë përqind të votuesve” theksoi ai.

Meta: Jam gati të lë mandatin e Presidentit

Zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 13 tetor Presidenti Meta e konsideron rrugën e duhur për të dalë nga kriza politike dhe institucionale gati gjashtë mujore ku ndodhet Shqipëria. Propozimi i tij është që në 13 tetor, krahas lokaleve të bëhen edhe zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. Nëse ky propozim pranohet nga kryeministri Rama, Meta tha se është gati që të dalë në fushatë.

” Nëse kërkon kryeministri, jam i hapur të lë detyrën e Presidentit duke konkurruar në 13 tetor, por vetëm me një kusht që në këtë zyrë të vijë një njeri me integritet”, tha Meta duke propozuar si kandidat ish-presidentin socialist Rexhep Mejdani.

Meta paralajmëroi se Lokalet 2019 të 30 qershorit do të ndikojnë në një vendim negativ të Këshillit Europian në tetor lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE, sepse nuk ato nuk plotësojnë standardet e zgjedhjeve demokratike dhe pluraliste”.

Rezultatet e Lokaleve 2019 i dhanë Partisë Socialiste të kryemnistrit Rama 60 bashki nga 61 që ka gjithsej Shqipëria. Në disa nga bashkitë e fituara nga PD në zgjedhjet lokale 2015, ditët e fundit ka pasur përplasje, pasi kryetarët e djathtë të këtyre bashkive kanë kundërshtuar tua lënë zyrat e tyre kryetarëve të sapozgjedhur socialistë.