MF: Programi i ri i Reformës Ekonomike (PRE) 2024-2026 u miratuar nga Qeveria, u hodhën themelet për Axhendën tonë reformuese për Planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor

Shtatëmbëdhjetë masa reformuese në gjashtë reforma strukturore janë të përfshira në Programin e ri të Reformës Ekonomike (PRE) 2024-2026, i cili është përgatitur nga Ministria e Financave së bashku me institucionet e tjera dhe është miratuar nga Qeveria në mbledhjen e fundit. Reformat, të cilat janë prioritete të përcaktuara në PRE 2024-2026, synojnë përforcimin e konkurrencës së vendit tonë, qëndrueshmërinë dhe rezistencën e ekonomisë, si dhe përforcimin e kapitalit njerëzor dhe të politikave sociale.

Marketing

“Programi i reformave ekonomike 2024-2026 është cikli i 10-të që e zbatojmë së bashku me BE-në, në të cilin përcaktohen reformat në rrugën tonë të integrimit evropian. Është e rëndësishme që ky program do të jetë bazë për përgatitjen e Axhendës reformuese për Maqedoninë e Veriut në përputhje me Planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky është proces në të cilin tashmë kemi përvojë, sepse kanë kaluar nëntë cikle të Dialogut ekonomik dhe financiar me BE-në, në të cilin po përgatitet PRE-ja dhe me sukses po e koordinojmë këtë proces. Përvoja në fjalë, paraqet bazë mbi të cilën kemi filluar përgatitjen e Axhendës sonë të reformave për Planin e ri të rritjes në Ballkanin Perëndimor, që duhet ta ofrojë përfshpejtimin e dinamikës së zbatimit të reformave kyçe” theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Rrethanat e favorshme afariste dhe integrimi i mëtejshëm në tregun e vetëm të BE-së, sigurimi i furnizimit stabil dhe i qëndrueshëm me ushqime, përforcimi i rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe ulja e ndotjes së mjedisit jetësor, krijimi i shërbimeve publike dixhitale efikase, përmirësimi i efikasitetit të fuqisë punëtore dhe zbatimi i mëtejshëm i pakos së reformave sociale, janë gjashtë reformat strukturore në Programin e reformave ekonomike.

Me qëllim implementimin e tyre, PRE-ja 2024-2026 përmban 17 masa reformuese, mes tyre vendosjen e mekanizmave për formalizimin e punës joformale, përkrahjen e zhvillimit të ekosistemit inovativ, harmonizimin me të drejtën e BE-së në fushën e tregut të vetëm, modernizimin e teknologjive dhe proceseve pas vjeljes në tregtinë me prodhimet bujqësore vendore, efikasitetin energjetik dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë, ballafaqimin që ka të bëjë me mbetjet e ngurta dhe ujërat e zeza, zgjerimin e diapazonit të shërbimeve publike dixhitale, transformimin dixhital të DAP-it, zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të kualifikimeve, përmirësimin e fleksibiliteti i tregut të punës, përmirësimin e kujdesit shëndetësor etj.

Implementimi i të gjitha këtyre masave duhet të kontribuojë në uljen e numrit të personave të punësuar në mënyrë joformale në numrin e përgjithshëm të personave të punësuar në 9% deri në vitin 2026, rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtritshme të energjisë në konsumin përfundimtar në 29% deri në vitin 2025, 550 shërbime të disponueshme në portalin “e-shërbimet” deri në vitin 2025, dixhitalizimin e plotë të shërbimeve të fletobligacioneve tatimore deri në vitin 2026 etj.

Programi i reformave ekonomike është dokument strategjik koherent, i cili është rezultat i përbashkët i angazhimit të disa institucioneve në periudhë disa mujore, ndërsa përgatitja e përgjithshme koordinohet nga Ministria e Financave. Në përzgjedhjen e reformave kryesore strukturore sektoriale, që janë pjesë e këtij programi, institucionet kanë parasysh sfidat dhe problemet në fushat përkatëse, tejkalimi i të cilave ndikon në rritjen e konkurruencës dhe rritjen ekonomike të vendit, si dhe në krijimin e vendeve të punës.

Programi i reformave ekonomike merr parasysh rekomandimet e Raportit të KE-së dhe është në përputhje me Programin e punës së Qeverisë, Strategjinë e reviduar fiskale, Strategjinë e reviduar të menaxhimit të borxhit publik dhe Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe me dokumentet e tjera strategjike nacionale. Gjithashtu, PRE-ja është në përputhje me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, Planin aksional shumëvjeçar për lidhjen ekonomike rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, BE-në: Axhendën e gjelbër, Axhendën dixhitale dhe Planin ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Ministria e Financave, si koordinatore e procesit, pas miratimit të PRE-së 2024-2026 nga Qeveria, e dorëzoi atë në Komisionin Evropian, ku më pas fillon procesi i shqyrtimit dhe I misioneve të vlerësimit, si dhe miratimi i konkluzioneve të reja të përbashkëta në kuadër të Dialogut Ekonomiko-financiar.

Marketing