Mickovski: RMV i ka plotësuar kushtet, BE të plotësojë premtimin

Zhvillimet e sotme dhe intensifikimin e aktiviteteve nga ana e dyshes evropiane, Varheji dhe Silva, në përpjekje që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet me BE-ne, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare ne kuadër të Samitit të qershorit ne Bruksel, i ka komentuar lideri i opozitës maqedonase, Hrisktijan Mickovski.

Marketing

Mickovski ka pohuar se qëndrimi i subjektit të tij politik është se RMV meriton t’i fillojë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian, sepse kriteret të cilat janë kërkuar nga BE-ja, RMV i ka plotësuar kohë më parë. Por, sipas Mickovskit politika dhe qëllimi i gabuar i Zaevit është se ai kërkon datë për fillimin e bisedimeve dhe ajo sipas Mickovskit nuk nënkupton asgjë.

“Bisedime duhet tani menjëherë, sepse Maqedonia që moti i ka plotësuar kriteret e kërkuara për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE. Qëllimi i Zaevit është që të marrë datë për fillimin e bisedimeve, e cila nuk garanton asgjë dhe këtu është politika e gabuar dhe instalim të skenarit humbës. Qëllimi ynë është qartë i definuar dhe ky qëndrim duhet të jetë i secilit qytetar, e ai është që bisedime për anëtarësim duhet tani menjëherë. Kurse BE duhet ta plotësojë atë të cilën për vite me radhë ia ka premtuar këtij populli.”,- tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Edhe shefi i lartë për politika të jashtme, Zhose Borel, sot përsëriti qëndrimin e tij se Bashkimi Europian duhet të japë shpresë Ballkanit Perëndimor. Ai përmendi se popujt e RMV-së dhe Shqipërisë presin që vendet e tyre ta realizojnë takimin e parë ndërqeveritar me BE-në në korrik, ndërsa populli i Kosovës pret liberalizimin e vizave, për të cilën kriteret janë plotësuar.