Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi sot ka zhvilluar takim me përfaqësuesen e UNDP-së në Republikën e Maqedonisë, Luiza Vinton.
Në këtë takim, siç kumtoi MASH, u theksua bashkëpunimi i deritashëm i Republikës së Maqedonisë me programet e Kombeve të Bashkuara në sferën e arsimit, për projekte të shumta me interes të përbashkët.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për realizimin e projektit për asistentë personalë për nxënësit me nevoja të posaçme arsimore, si dhe për projektin për arsimin dhe trajnimin e personave të dënuar që qëndrojnë në entet ndëshkuese-përmirësuese në vend, projekt ky që para do kohe u përmbyll me ndarjen e certifikatave për zbatimin e suksesshëm të të njëjtit”, kumtoi Kabineti i Ademit.
Ministri Ademi në këtë takim, po ashtu, ka prezantuar edhe reformat që i ndërmerr Ministria e Arsimit në drejtim të përafrimit të sistemit arsimor të Republikës së Maqedonisë drejt trendeve moderne botërore në sferën e arsimit.