Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Hagë, Mbretëria e Holandës.
Siç kumtoi MPJ, Dimitrov në Hagë do të realizojë takime me kolegun holandez Stef Bllok, si dhe me përfaqësues të zyrës së kryeministrit holandez, të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe anëtarë të Parlamentit.
Ministri Dimitrov do të ketë fjalim edhe para Komitetit parlamentar për Çështje Evropiane, ku do të prezantojë progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar dhe gatishmërinë e vendit për fillimin e bisedimeve për inkuadrim me Bashkimin Evropian, në vigjilje të Këshillit të BE-së në qershor.