Ministri i Shëndetësisë në Itali, Roberto Speranza, tha të dielën se të dhënat e reja për sa i përket situatës së pandemisë janë të “tmerrshme” dhe se vendi kishte dy ditë kohë për të miratuar kufizimet e mëtejshme për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Të shtunën vendi regjistroi pothuajse 32 mijë raste të reja me koronavirus, rekordi i saj më i lartë ditor që nga fillimi i krizës. Ndërsa sot Italia ka regjistruar +29,907 raste të reja infektimesh, ndërsa 208 pacientë kanë ndërruar jetë.
Numri i përgjithshëm i viktimave nga virusi vdekjeprurës u rrit në 38 mijë.
“Ne kemi 48 orë kohë për të miratuar masat e mëtejshme shtrënguese”, u shpreh Speranza.
Një bllokim i ri megjithëse jo i gjatë sikurse ai i vendosur në muajin mars, do të ishte ndoshta opsioni i vetëm për të frenuar numrat, sipas ministrit.
“Lakorja epidemiologjike është akoma shumë e lartë. Ajo që më shqetëson më së shumti janë të dhënat absolute, të cilat shfaqin një lakore të tmerrshme”, tha ai.