Ministri më besnik i Putinit, jeta e fshehtë e Lavrov dhe e së dashurës së tij

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i ashpër dhe sarkastik, është bërë një figurë famëkeqe në javët e fundit, kur Rusia ka pushtuar Ukrainën, shkruan Daily Mail.

Marketing

Kryediplomati rus vetëm një ditë më parë deklaroi se nëse Lufta e III botërore ndodh do të jetë bërthamore, duke kërcënuar NATO-n dhe Perëndimin.

Por kush është ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, besnik i presidentit Putin?

Karriera diplomatike e 71-vjeçarit ka zgjatur gjysmë shekulli, që do të thotë se ai ka jetuar dhe punuar gjatë Luftës së Ftohtë dhe rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ka parë sesi marrëdhëniet e vendit të tij me Perëndimin shkuan nga gati miqësore në prag të luftës bërthamore përsëri.

Ashtu si shumë zyrtarë dhe oligarkë të lartë rusë, Lavrov u bë objektivi i sanksioneve që BE-ja vendosi pasi tanket ruse kaluan kufirin ukrainas.

Por ai mendohet se zotëron prona dhe asete të tjera në vlerë prej qindra milionë dollarësh, dhe një raport i botuar vitin e kaluar zbuloi se diplomati numër 1 i Rusisë ka financuar karrierën dhe jetën personale të një zonje sekrete dhe miqve dhe familjes së saj.

Lavrov ka tejkaluar për vite me radhë valët e pafundme të spekulimeve se ai ishte në prag të daljes në pension, përkundrazi ai është bërë një nga anëtarët më jetëgjatë të kabinetit të Putinit.

Diplomati u bë ministër i jashtëm i Rusisë në vitin 2004, duke e bërë kohëzgjatjen e mandatit të tij në pozicionin e dytë pas atij të Dr. No, ministrit famëkeq të Jashtëm sovjetik Andrei Gromyko. Para se të merrte këtë pozicion ai ka shërbyer si kryeambasador i Rusisë në OKB për 10 vjet.

I lindur në Moskë nga një nënë ruse dhe baba armen në vitin 1950, ai filloi karrierën e tij diplomatike në vitin 1972 pasi u diplomua në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (MGIMO).

Lavrov shkëlqeu në vitin 1981 duke u bërë këshilltar i lartë në misionin sovjetik në OKB në Nju Jork gjatë një prej periudhave më intensive të Luftës së Ftohtë.

Që kur u bë ministër i Jashtëm, sjellja e Lavrov është ngurtësuar vazhdimisht dhe ai shfaq tablonë e një njeriu të padurueshëm dhe nervoz që nuk i pëlqen më puna e tij.

Ashtu si shefi i tij, Lavrov ka shfrytëzuar nostalgjinë e gjerë të publikut për epokën sovjetike dhe shpesh e ka përshkruar SHBA-në si arrogante, mendjemadhe dhe të prirur ndaj dominimit botëror, ndërsa ka hedhur poshtë Mbretërinë e Bashkuar dhe liderët evropianë si njerëz të bindur që ndjekin linjën e Uashingtonit.

Në moshën 71-vjeçare, Lavrov duket dukshëm i mërzitur nga rutina e përditshme e diplomacisë. Ai nuk shqetësohet më të fshehë acarimin e tij për një pyetje naive ose provokuese kur ulet para mediave, shpesh duke u përgjigjur me një përbuzjeje ose talljeje.

Jashtë diplomacisë, Lavrov ka ndjekur shembullin e shefit të tij dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta mbajtur jetën e tij personale private. Por kryediplomati rus është përfshirë në një polemikë rreth një gruaje që besohet të jetë e dashura e tij prej shumë kohësh, Svetlana Polyakova.

Një raport i botuar vitin e kaluar nga botimi antikorrupsion i Stories dhe faqja zyrtare e kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, pretendonte se Lavrov, i cili është i martuar që nga viti 1971 me një fëmijë dhe nipër e mbesa, e mori Polyakovën jashtë shtetit më shumë se 60 herë në “udhëtime diplomatike”, misione dhe financoi stilin e saj të jetesës luksoze.

Polyakova, e cila ka mbajtur një pozicion në Ministrinë e Jashtme ruse që nga viti 2014, ka udhëtuar me Lavrov në Francë, Itali, Zvicër, Japoni, Singapor, Portugali, Azerbajxhan dhe Greqi dhe ka përdorur shpesh avionin e ministrisë së Jashtme, në tetë vitet e fundit.

Disa nga udhëtimet përfshinin pushime luksoze dhe vizita në shtëpi dhe jahte luksoze, mes tyre një anije në pronësi të oligarkut Oleg Deripaska, në disa raste, iu bashkuan nëna, vajzat dhe mbesa e Polyakovës.

E dashura e Lavrov ka krijuar gjithashtu emërime të larta për miqtë dhe familjen brenda Ministrisë së Jashtme. Është shfaqur publikisht përkrah Presidentit Vladimir Putin dhe është emëruar në shoqërinë elitare të tij. Raporti zbuloi se Polyakova ishte aq e afërt me ministrin e Jashtëm, saqë informacioni i saj shpesh renditej si “Svetlana Lavrova” me disa zyrtarë qeveritarë që besonin se ajo ishte gruaja e Lavrov.

Hetimi zbuloi gjithashtu pasurinë e jashtëzakonshme dhe pronat familjare të Polyakovës në Rusi dhe në Mbretërinë e Bashkuar me vlerë 13.6 miliardë dollarë. Zonja zotëron gjithashtu 545 000 dollarë në makina luksoze, duke përfshirë një Mercedes me vlerë rreth 250 000 dollarë. Edhe pse kjo ka të ngjarë të jetë një shumë e vogël për Lavrov, i cili mendohet se zotëron prona dhe asete të tjera në vlerë prej qindra milionë dollarësh.

Në ditët e sotme, Lavrov është një nga figurat më të njohura të Rusisë në mes të konfliktit në Ukrainë, duke dhënë deklarata dhe justifikime për ‘operacionin special ushtarak’ të Rusisë duke denoncuar veprimet e fuqive perëndimore.

Atij iu ndalua të fluturonte për në Gjenevë për të marrë pjesë në një konferencë të OKB-së, pasi anëtarët e Bashkimit Evropian i mbyllëmn hapësirën ajrore avinëve rusë.

Lavrov denoncoi atë që ai e quajti lëvizjen ‘të egër’ në një fjalim video në sesionin e OKB-së, duke akuzuar vendet anëtare të BE-së për ‘shmangien e një dialogu të sinqertë ballë për ballë ose kontakteve të drejtpërdrejta të krijuara për të ndihmuar në identifikimin e zgjidhjeve politike për çështjet urgjente ndërkombëtare’.Por diplomatët perëndimorë nga dhjetëra kombe u larguan nga salla e konferencave teksa Lavrov filloi të fliste.

Ngjarjet e fundit kanë treguar se fjalimet e Lavrovit në media duket se ngjajnë gjithnjë e më shumë me jehonën e retorikës së Putinit. I pyetur një herë se çfarë duhet për të qenë një diplomat, Lavrov tha se cilësitë kryesore ishin të qenit ‘erudit’ dhe njohja e mirë e historisë, duke shtuar se kjo ishte e rëndësishme për të kuptuar psikologjinë dhe pozicionet e kolegëve negociatorë në tryezë./