Procesi i votimit për referendumin ka nisur, por Ministria e Brendshme ka bërë thirrje që qytetarët, partitë politike dhe protagonistët e tjerë pjesëmarrës të respektojnë ligjin dhe të shmangin parregullsitë.
MPB ka bërë të ditur se do të ketë sanksionime me ligj ndaj atyre që cënojnë privatësinë e votimit, siç është fotografimi apo xhirimi. Ky reagim vjen pasi që në disa vende në diasporë janë xhiruar dhe fotografuar qytetarë që kanë votuar, të cilët më pas janë linçuar në rrjetet sociale.
“Çdo sjellje në kundërshtim me ligjet, Ministria e Brendshme nuk do ta tolerojë dhe do të veprojë në përputhje me ligjet. Ministria e Brendshme do të ndërmarrë gjithçka që është e nevojshme që të dielën më 30 shtator qytetarët në mënyrë të qetë dhe pa pengesa ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për deklarimin e lirë të vullnetit të tyre qytetar”, thuhet në apelin e MPB-së.