Mitchell: SHBA ka rritur angazhimin në Ballkan. Zaev një lider vizionar

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Wess Mitchell bëri një pasqyrë të politikës amerikane në Evropë duke theksuar se kontinenti është edhe një herë një teatër i konkurrencës serioze strategjike.

Marketing

Në një seancë dëgjimore para një nënkomisioni të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal, diplomati amerikan ndër të tjera tha se Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor.

“Përmes një diplomacie aktive dhe koordinimi të ngushtë me BE-në, ne mbështetëm udhëheqësit vizionarë, kryeministrin Tsipras dhe kryeministrin Zaev për arritjen e një marrëveshjeje historike në ngërçin për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ne kemi shtuar komunikimin me Serbinë dhe Kosovën dhe po promovojmë reforma në Bosnjë-Hercegovinë”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të senatores Jeanne Shaheen lidhur me demonstratat e zhvilluara në Greqi dhe Maqedoni dhe mundësinë që këto zhvillime të ndikojnë negativisht në ratifikimin e marrëveshjes, ndihmës sekretari i Shtetit tha se është i shqetësuar nga mundësia e një ndërhyrjeje të Rusisë, e cila u pa qartë në Malin e Zi.

Ai tha se përfaqësuesit rusë kanë bërë deklarata kërcënuese duke e bërë situatën shqetësuese. “Ua kemi bërë të qartë rusëve se po e monitorojmë situatën nga afër dhe se nuk i takon Moskës të vendosë për të ardhmen e Maqedonisë”.

Ndihmës sekretari i Shtetit e sheh zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë të një përmase si marrëveshja e Dejtonit që i dha fund konfliktit të viteve 90 në Ballkan. Ai tha se efektet e suksesit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë do të shërbejnë si një mundësi e mirë për të vazhduar zgjidhjen e problemeve të tjera në Ballkan, si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjendja në Bosnje-Hercegovinë.

Marketing