Prokurorja Fatime Fetai e cila po flet në seancën gjyqësore të rastit Monstra, kërkoi përgjigje nga gjykata lidhur me kërkesën për ekstradimin e të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç, raporton SHENJA.
Gjykatësi Ognen Stavrev i tha Fetait se ai ende nuk ka të dhëna ose informata të Ministrisë së Drejtësisë. Fetai lexoi njoftimin e fundit zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë në të cilin shkruante se tashmë ka bërë kërkesë për ekstradim, por autoritete kosovare ende nuk kanë dhënë përgjigje.
Kjo procedurë mbahet pezull për vite me radhë.
Kërkesa e parë e Maqedonisë për ekstradim ishte refuzuar me arsyetim se Maqedonia nuk ka ofruar prova të mjaftueshme me të cilët do të dëshmonte se ata janë autorët e vërtetë të vrasjes se djemve dhe peshkatarit.
Gjatë gjykimit të sotëm të rastit Monstra po dëgjohet deklarata e ekspertëve Robert Janevski dhe Pavlinka Stefanova.