Motra e Kim Jong-un ofrndime e akuza për Korenë e Jugut: Idiotë që krijojnë rrezik

Motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, ka sulmuar Korenë e Jugut, duke e quajtur qeverinë e saj “idiote” për marrjen në konsideratë të sanksioneve të reja kundër Veriut.

Marketing

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut tha se po shqyrtonte sanksionet ndaj Koresë së Veriut pas shtimit të testeve raketore nga kjo e fundit. Jugu tha gjithashtu se do të merrte masa kundër sulmeve kibernetike nga Koreja e Veriut.

Kim Yo Jong reagoi ndaj këtij lajmi duke thënë: “Pyes veten se çfarë “sanksionesh” do t’i imponojë Koresë së Veriut grupi koreano-jugor, “një qen i egër që gërryen një kockë të dhënë nga SHBA-ja me paturpësi”.

Ajo vazhdoi ta quante presidentin e Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol dhe administratën e tij “idiotë që vazhdojnë të krijojnë situatën e rrezikshme”.

Ajo paralajmëroi qeverinë e Koresë së Jugut se sanksionet “e dëshpëruara” dhe presioni kundër Koresë së Veriut vetëm sa do “t’i hedhin benzinë zjarrit” në konfliktet mes vendeve.

Duke iu përgjigjur fyerjeve të zonjës Kim, Seuli tha se ishte “shumë e mjerueshme që ajo të denonconte kreun e shtetit me fjalë nën standarde dhe të mos tregonte normat bazë të mirësjelljes”.

Ministria e bashkimit, një departament ekzekutiv i qeverisë së Koresë së Jugut, shtoi se dënoi fuqishëm – siç e quajti – “përpjekjen e zonjës Kim për të nxitur beteja antiqeveritare”.

Titulli zyrtar i zonjës Kim është Zëvendës Drejtoreshë e Departamentit të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve në pushtet të Koresë së Veriut, por agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut ka thënë se ajo mbikëqyr marrëdhëniet me Korenë e Jugut dhe me SHBA-në.

Koreja e Jugut thotë gjithashtu se ajo është personi i dytë më i fuqishëm i Veriut pas vëllait të saj.