Musliu: Sundimi i së drejtës të fillojë me luftën kundër korrupsionit

Sundimi i së drejtës duhet të fillojë me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kundër mosndëshkimit, ka thënë drejtori ekzekutiv i Asociacionit për Iniciativa Demokratike (ADI) Albert Musliu para fillimit të konferencës mbi progresin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e cila u mbajt në Shkup, transmeton gazeta KOHA.

Marketing

Sipas tij në vend, ka vullnet politik të zbatohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa siç shtoi, nëse ajo është implementuar në vepër do të tregojë Kapitulli 23 pasi të fillojnë negociatat.

“Në atë drejtim mendoj se të gjithë aktorët përfshirë jo vetëm institucionet, por edhe qytetarët dhe gjithë aktorët shoqëror duhet seriozisht të angazhohen të ndryshohet angazhimi institucional, por edhe vetëdija qytetare”, ka thënë Musliu.

Natali Petrovska nga Koalicioni i Shoqatave të qytetarëve- Të gjithë për gjykim të drejtë ka deklaruar se institucionet të cilat angazhohen për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përfundimisht u nevojitet forcim dhe atë siç tha, “është formuar edhe Prokuroria Speciale Publike”.

“PSP dhe Prokuroria e rregullt të cilën e ndjek krimi i organizuar në këtë moment do të duhet të konsolidohen dhe të japin gjithçka nga vetja që t’i forcojnë angazhimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Petrovska.

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska në fjalimin e saj mes tjerash theksoi se formimi i PSP-së ka qenë hap i parë në pastrimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Përballja e suksesshme me krimin e organizuar dhe korrupsionin nënkupton përmbushjen e disa supozimeve themelore: krijim i kornizës efikase ligjore, bashkëpunim i përgjithshëm ndërkombëtar dhe ekzistimit të institucionit të pavarur për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Deskoska.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni siç ka thënë ministrja janë një nga të këqijat e të sotmes, ndërsa qëllimi bazë është përfitimi i financave të mëdha.

Konferenca “Progresi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në prag të raportit të KE-së” është pjesë e projektit “Monitorim dhe përmirësim i kapaciteteve të institucioneve në përballjen me krimin e organizuar dhe korrupsionin” të financuar nga Delegacioni i BE-së.