Napoli ka fituar në transfertën e “Bentegodit” ndaj Chievos së vendit të fundit me rezultatin 3-1, një rezultat që përveçse shtyn festën e titullit të radhës për Juventusin, zyrtarizon edhe matematikisht rënien e Chievos pas kaq shumë vitesh në kategorinë inferiore, Serie B.
I ndodhur 17 pikë larg kreut, ekipi napolitan i drejtuar nga Carlo Ancelotti ka fituar falë dygolëshit të shënuar nga Koulibaly, në fillim dhe në fund të takimit, ndërkohë që regjistruan emrin e tyre mes golashënuesve edhe polaku Milik për Napolin dhe Cesar për vendasit.
Serie A do ta mbyllë javën e 32-të me takimin e së hënës, Atalanta-Empoli, por përpara saj i gjithë fokusi do të jetë në ndeshjen e radhës të Interit, që këtë mbrëmje do të udhëtojë drejt Frosinones së vendit të parafundit.
Në ndeshjet e tjera të zhvilluara këtë të dielë, Sampdoria fitoi 2-0 në derbin gjenovez ndaj Genoas; Torino barazoi 1-1 me Cagliarin, në një ndeshje “të skuqur” nga masat ndëshkimore; ndërsa me rrjeta të paprekura përfunduan sfidat Fiorentina-Bologna dhe Sassuolo-Parma.