Naser Ziberi: Marrëveshja e Ohrit është larg pritshmërive, zbatimi u vonua për mungesë mekanizmi kontrollues
Mungesa e një mekanizmi të posaçëm për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka ndikuar në vonesat e implementimit të saj. Kështu vlerëson Naser Ziberi, një nga figurat politike të përfshira në procesin e hartimit të marrëveshjes.
Në një prononcim për TV Koha, Ziberi përgjegjësinë për vonesat ua atribuon partive politike që ndër vite kanë qenë pjesë e pushtetit. Sipas tij, marrëveshja, e nënshkruar më 13 gusht 2001 pas konfliktit, është dashur të zbatohet në tërësi brenda katër viteve.
“Marrëveshja e Ohrit është larg asaj që shqiptarët së bashku kishin si kërkesë dhe si pritshmëri. Mendoj se gjatë procesit negociues nuk u arritën synimet të cilat ishte e domosdoshme të arriheshin. Problemi i dytë i Marrëveshjes së Ohrit është prolongimi i tejskajshëm i implementimit të saj në praktikë”, deklaroi Ziberi.
Ai vlerëson se një nga problemet kryesore të marrëveshjes lidhet me faktin se procesi negociues nuk kishte përfunduar plotësisht para nënshkrimit. Sipas tij, negociatat në Ohër u ndërprenë pas ngjarjeve në Karpallak, duke lënë të hapura disa çështje të rëndësishme.
“Defekti i madh i Marrëveshjes së Ohrit është që kjo marrëveshje nuk ka përfunduar me marrëveshje. Ajo është nënshkruar, por procesi negociues nuk ka përfunduar. Bisedat dhe negociatat në Ohër janë ndërprerë si rezultat i ngjarjeve të Karpallakut”, tha Ziberi.
Sipas tij, si pasojë e ndërprerjes së negociatave, në Marrëveshjen e Ohrit nuk janë mbyllur tri çështje kyçe: teksti i preambulës, përdorimi i gjuhës dhe arsimi i lartë universitar.
Ziberi megjithatë vlerëson se, pavarësisht mangësive dhe vonesave në zbatim, Marrëveshja Kornizë e Ohrit ka pasur rol të rëndësishëm në avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. / Aktuale.mk
