NATO ka refuzuar kërkesat e dhjetë zyrtarëve nga Maqedonia për certifikatë sigurie, ja shkaku!

Në bazë të madhësisë së shtetit, 500 deri 600 shtetas të Maqedonisë së Veriut duhet të posedojnë certifikatë sigurie nga NATO, kurse për momentin ka filluar procedura për rreth 300, sqaron në intervistën për Radio Evropa e Lirë, Stojan Sllavevski, drejtor i Drejtorisë për siguri të informative të klasifikuara.
Përmes këtij institucioni shkojnë të gjitha kërkesat për certifikatë sigurie, kurse Sllavevski thekson se 200 nga 300 që janë pajisur me certifikatë të NATO-s, kanë punë me informata të klasifikuara. Dhjetëra tjerë, nuk e kanë kaluar verifikimin e nevojshëm, thotë Sllavevski.

Marketing

“Ata janë refuzuar për shkak të ekzistimit të disa pengesave të sigurisë. Për asnjërin nga këto dhjetëra persona që i përmenda, nuk ka nevojë të zhvillohet ndonjë procedurë penale ose procedurë për dhënie të informative të klasifikuara. Ata persona janë refuzuar për çështje të caktuara që kanë ndodhur, për shembull persona që kanë kaluar ndonjë pjesë të jetës në ndonjë vend që nuk është mik i NATO-s, ose rrethi i tyre është i asaj natyre që paraqet rrezik të caktuar ose pengesë“, thekson Sllavevski.

VMRO-DPMNE ka akuzuar se dy ministra, Oliver Spasovski i MPB-së dhe Bojan Mariçiq i drejtësisë, nuk kanë certifikatë të NATO-s. deputeti i kësaj partie, Brane Petrushevski thotë se “funksionarët nën qeveri janë bartës të aferave kriminele dhe korruptive”.

Spasovski mohoi, duke theksuar se posedon certifikatë të nivelit më të lartë të sigurisë në vend dhe se është në vijim procedura për NATO certifikatë të sigurisë.

“E kam poseduar edhe më parë, nuk shoh arsye që kjo procedurë të mos përfundojë me sukses edhe tani. Pres që shumë shpejt ta kem NATO certifikatën e sigurisë”, tha Spasovski.

Nga Qeveria, nga ana tjetër, njoftuan se ministri i drejtësisë Bojan Mariçiq, nuk ka fare nevojë për certifikatë të tillë.

Ndryshe Sllavevski sqaron se procedura për marrje të certifikatës zgjat afër 6 muajve. Pasi të bëhet kërkesa, shërbimet vendore bashkë me ato të NATO-s, i kryejnë verifikimet e nevojshme dhe arrijnë deri te propozim i përbashkët që e dorëzojnë deri te drejtoria që e udhëheq, e pastaj ata e japin certifikatën e sigurisë.

“Pjesa më e madhe e strukturave që duhet të pajisen me certifikata janë nga Ministria e mbrojtjes, respektivisht nga Armata dhe nga Ministria e punëve të jashtme, respektivisht ata persona që marrin pjesë në delegacionin tonë në NATO dhe punojnë në çyshtje që kanë të bëjnë me NATO-n. Poashtu këtu bëjnë pjesë edhe strukturat e sigurisë dhe të inteligjencës”, thotë Sllavevski.