Në moshën 60 vjeçare pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë veterani i luftërave të Ballkanit, Nijazi Muharremi. Luftëtar i vyer e sypatrembur në luftat në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe kontribues edhe në luftërat në Kosovë e Maqedoni, i paposhtur nga beteja të ndryshme, të dielën (17 shtator 2023) u dorrëzua para sëmundjes duke kaluar në amshim.
Atdhetar i madh dhe i gatshëm gjithmonë për të vënë veten në shërbim e për tu flijuar në luftërat kundër okupatorit serb, Muharremi vite të tërra jetoi me plagët e marra në luftën e Bosnjes në mbrojtje të Sarajevës.
Nijazi Muharremi vdiq në spital në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës ku jetonte prej vitesh me familjen.
Dëshira e familjes dhe gjithashtu edhe të ndjerit ishte që varrimi të bëhet në Zhelinë, mirëpo shkaku procedurave administrative kjo u tregua e pamundur. Kështu që varrimi i Nijazi Muharremit do të bëhet të enjten në varrezat e veteranëve të luftës në Sarajevë.