Ndërtohet hoteli i parë në hapësirë me pamje nga toka

Hoteli i parë i hapësirës është një “hap” larg përfundimit, pasi së fundmi është zbuluar dizajni. Ai do të jetë në formën e një stacioni hapësinor që sillet rreth orbitës së Tokës dhe është llogaritur të ofrojë shërbime hotelerie dhe jo vetëm për 400 persona. Brenda tij do të keni mundësi të kryeni të gjitha aktivitetet që bëhen në një hotel normal, si të darkoni në restorante, të pini një gotë në klub, apo edhe të shihni një film në kinema.

Marketing

Hoteli komercial i hapësirës është dizajnuar nga “The Gateway Foundation”, një kompani që investon në industrinë hapësinore. Hoteli, i cili zyrtarisht do quhet “Stacioni Hapësinor Von Braun” do të ndërtohet duke përdorur teknologji të vëna më parë në provë në ndërtimin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, në të cilin qëndrojnë astronautë nga disa vende të botës.

Por në vend që të përdoret për qëllime studimi, këtu kemi të bëjmë me një “anije turistike” që do të “shëtisë” turistët disa qindra kilometra mbi sipërfaqen e planetit tonë. Për të bërë të mundur që njerëzit të ecin normalisht si në tokë, shkencëtarët pas këtij projekti po punojnë për të shtuar gravitet artificial.

Hoteli është dizajnuar në formën e një rrote gjigante me diametër 190 metra. Ideja është që i gjithë hoteli të rrotullohet në mënyrë që të krijojë të njëjtën forcë gravitacionale si ajo që ndihet mbi sipërfaqen e Hënës. “The Gateway Foundation” shpreson që gjithçka të jetë gati brenda vitit 2025 dhe në parashikimin fillestar është menduar se 100 turistë do ta vizitojnë çdo javë. Planet për të ardhmen janë edhe më të mëdha, pasi në përfundim të hotelit “Von Braun”, është planifikuar një stacion edhe më i madh hapësinor, në gjendje të mbajë deri në 1400 persona.