Pushteti dhe opozita nuk kanë pothuajse asnjë formë komunikimi personal në nivel më të lartë për ndryshimet kushtetuese. Kreu i VMRO-DPMNE-së e cilëson të mbyllur çdo mundësi që ata të merren vesh për këtë çështje. Mickoski thotë se tani palët nuk duhet më të diskutojnë për ndryshimet kushtetuese, por duhet të ulen të bisedojnë për zgjedhjet në vitin e ardhshëm.
“Mendoj se kjo temë është mbyllur. Nuk ka kohë. Tashmë jemi në muajin tetor. Ne jemi në më pak se gjashtë muaj para zgjedhjeve. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që të mos ketë komunikim për atë se çfarë jemi duke bërë, sepse kemi dy procese të rëndësishme zgjedhore të cilat do të ndodhin për disa muaj”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski këto komente i bëri në intervistë për Tv Sitel. Ai vlerëson se duhet të caktohen datat e zgjedhjeve, meqë në prill dhe në maj, kur janë dhe afatet ligjore për zgjedhjet presidenciale, janë festat fetare si Ramazani dhe Pashkët. Për kryeministrin Kovaçevski, nuk ka nevojë për takim liderësh për të caktuar datat e zgjedhjeve të rregullta.
“Kjo kërkesë e Mickoskit është edhe një kërkesë tjetër që të lihen anësh institucionet e vendit, të lihet anash parlamenti i vendit, të lihen anash procedurat dhe ligjet dhe të rregullohet në tavolina diçka që është rregulluar me ligj. Tek ne është e definuar qartë kur mbahen zgjedhje presidenciale dhe zgjedhje parlamentare në afatet e rregullta”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Megjithatë kryeministri një ditë më parë nga samiti i BE-së në Spanjë vlerësoi se edhe një mundësi tjetër për VMRO-në është e hapur.
“Mundemi që të hënën të caktojmë seancë në Kuvend në të cilën do të votohen amendamentet kushtetuese dhe po atë ditë të caktohen zgjedhje dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, shtoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Ndryshimet kushtetuese duhet të votohen e shumta në fund të muajit nëntor që të arrihen afatet para samitit të BE-së në fillim të dhjetorit. Deri tani nuk është caktuar akoma vazhdimi i seancës parlamentare në të cilën duhet të merret vendimi për hapjen e Kushtetutës me 80 vota. /Alsat.mk