Ndryshimet kushtetuese, përfundon diskutimi mbi rregulloren e punës

Grupi i punës për përgatitjen e propozim iniciativës për nevojën e ndryshimeve kushtetuese ka përfunduar me diskutimin mbi Rregulloren e punës, e cila do të votohet më 19 maj.

Marketing

Kryetarja e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska, thekson se nuk dëshiron të spekulojë sa i përket kohës se kur do të jenë të gatshme këto propozim iniciativa, edhe pse pritshmëritë e institucioneve përgjegjëse vendore për eurointegrime janë që debati parlamentar për amendamentet të fillojnë brenda një muaji.

Sipas Nikollovskës qytetarët duhet të njoftohen me elementet e këtyre propozim ndryshimeve, por kjo nuk varet nga grupi i punës të cilën e kryeson ajo.

“Unë nuk do të kalkulojë me kohën, sepse asnjëherë nuk dihet si do të zhvillohen punët. Dëshira jonë është që sa më parë t’i prezantojmë propozim ndryshimet që duhet të bëhen dhe çka është më me rëndësi, argumentet. Mendoj se publikut të Maqedonisë, duhet që në mënyrë më thelbësore dhe elementare t’i shpjegohet kjo tematikë dhe të kuptohet se çka në fakt është problemi, cili është qëllimi strategjik dhe sa duhet të punohet në atë qëllim strategjik. Ne kemi obligim t’i përgatisim këto propozim ndryshime dhe pastaj t’ia dorëzojmë Ministrisë së Drejtësisë. Se si ata do të sillen në këtë drejtim nuk mund t’ju them. Unë mund vetëm t’ju garantoj se Komisioni do të punojë në mënyrë transparente dhe do të njoftoheni për gjithçka që punojmë.”, – deklaroi kryetarja e Grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska.

Ndryshimet kushtetuese duhet të përfundojnë në nëntor të këtij viti, si kusht për hapjen e klasterëve me Bashkimin Evropian. Përkujtojmë se partia më e madhe opozitare në vend VMRO-DPMNE, ka ripërsëritur disa herë qëndrimin se nuk mbështet këto ndryshime kushtetuese edhe përkundër presioneve ndërkombëtare, andaj dhe nuk ka propozuar anëtarë të grupit të punës.

Mickovski është decid se këto ndryshime kushtetuese nuk do të ndodhin me këtë përbërje parlamentare. Ndërkohë që pushteti vazhdon të jetë optimist se këto ndryshime, megjithatë do të ndodhin.