Ndryshimet në Ministrinë e Drejtësisë, Deskovska: Kemi vullnet për gjyqësor të pavarur

Deskovska premtoi reforma në drejtësi dhe pavarësi të gjyqësorit. Ish ministri Saliji ndërkohë potencoi se sot është për një nuancë më lehtë të jesh ministër i drejtësisë, meqë konturet e para të reformave janë vendosur dhe këtë e pranoi edhe Deskovska, e cila gjithsesi kërkoi mbështetjen edhe të opozitës për reformat në gjyqësor.

Marketing

Një ndër prioritetet e para të cilin e premtoi sot, është edhe ndryshimi i Ligjit për përmbarim, në mënyrë që të sigurohet një sistem më i drejtë me kosto më të ulët në procedurat para përmbaruesve.

“Në Ministrinë e Drejtësisë veç më është miratuar strategjia për reforma, pra rruga është shtruar. Gjithashtu çështjet që duhet të përfshihen me ndryshime ligjore janë edhe në planin vjetor të qeverisë. Në një të ardhme të afërt do të pasojë një proces negocimi, duke pasur parasysh se një pjesë e ligjeve duhet të miratohen me shumicë të dyfishtë, në mënyrë që ato të mund të ndryshohen. Ato ligje që nuk kanë nevojë të votohen nga dy e treta e deputetëve presin që të përkrahen plotësisht nga Kuvendi, sepse ne kemi vullnet për ta bërë gjyqësorin të pavarur dhe për të siguruar bazën ligjore për pavarësinë e tij. Unë mendoj se kjo duhet të jetë në interes të të gjitha partive politike”,- deklaroi ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.

“Tanimë qartë janë vendosur konturet dhe linjat e lëvizjes së sistemit gjyqësor dhe reformave të paralajmëruara. Falënderoj të gjithë qytetarët e RM-së, iu falënderoj ju si media për bashkëpunimin e deritanishëm, e shpresoj të shihemi në evenimente të tjera”,– u shpreh ish-ministri i drejtësisë, Bilen Saliji.

Marketing