Në rritje, përdorimi i celularit gjatë vozitjes

Vendi ynë disponon me kornizë cilësore ligjore, por fatkeqësisht në praktikë nuk zbatohet. Kjo dëshmohet edhe nga mosrespektimi i dispozitave të Ligjit për siguri në komunikacion. Ligjvënësi gjatë përpilimit të këtij ligji përpos që ka paraparë sanksione për mosmbajtjen e rripit të sigurimit apo shpejtësisë së madhe në vend urbane, ka shtuar se biseda në celular gjatë ngasjes së veturës po ashtu paraqet shkelje të rregullave të komunikacionit, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion, kur flet për çështjen e sigurisë në komunikacion, thotë se pavarësisht se sa qytetarët janë të “infektuar” me shfrytëzimin e celularëve, një gjë e tillë aspak nuk duhet të ndodhë gjatë kohës kur ato gjenden prapa timonit. Arsyet më të shpeshta se pse shkaktohet aksidente në komunikacionin rrugor në vendin tonë pa dyshim është shpejtësia. Megjithatë, statistikat zyrtare flasin se trendi i bisedave në celular gjatë kohës kur qytetarët gjenden në veturë është në rritje e sipër. Pavarësisht zhvillimit të teknologjisë dhe përdorimit të celularëve në çdo hap, qëndrimi i KRSK është se këto nuk janë arsye të mjaftueshme që të njëjta të përdoren nga shofer apo këmbësorët.

“Në 20 apo 25 për qind të rasteve telefonat celular paraqiten si shkaktar kryesor të hutimit të shoferëve në komunikacion, respektivisht shkaktimit të aksidenteve nëpër rrugët e Maqedonisë. Me zhvillimin e teknologjisë, gjatë viteve të ardhshme pritet të përkeqësohet kjo problematikë. Pra, duhet të parashtrohet dilema a ja vlen të derdhen mija lot e të derdhet gjithë ai gjak nëpër rrugë, të vdesin shumë njerëz e më shumë tjerë të lëndohen, vetëm se kemi qenë të zënë me përdorimin e celularit. Kronika e zezë në nivel botëror thotë se 45 për qind e shoferëve i shfrytëzojnë celularët e tyre përderisa janë në komunikacion. Të dhënat tona flasin se në Maqedoni mbi 63 për qind e shoferëve i shfrytëzojnë këto mjete të komunikimit”, thonë nga KRSK. Me qëllim ngritjen e kulturës në komunikacion, nga KRSK shtojnë se nuk mjaftojnë arsyetimet e tipit “isha duke biseduar në telefon dhe ndodhi aksidenti”. Presioni, ngarkesa dhe nevojat për të arritur shpejtë në një vend, po ashtu nuk duhet të jenë arsye se pse ndodhin aksidente.

“Qytetarët duhet ta kenë të qartë se dërgimi i sms porosive gjatë drejtim të veturës është e njësoj si të vozitësh me sytë mbyllur për 6 sekonda me shpejtësi prej 60 deri në 100 kilometra në orë. Nuk duhet ta lodhim veten se si do të reagoj shefi në punë, apo vallë do të nervozohen familjarët, nëse nuk iu kam përgjigjur në telefon gjatë kohës kur kam drejtuar makinën. Presionet e tilla duhet t’i lëmë anash dhe të arrijmë sigurt në destinacionin e nisur”, potencojnë nga KRSK.

Ndryshe, raporti i ditor i MPB në vazhdimësi tregon se policia e rrugore gjatë zbatimit të detyrave të tyre, mes tjerash shqipton gjoba edhe ndaj shoferëve që i shfrytëzojnë telefonat celular në komunikacion.

Në bazë të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, drejtuesi i veturës gjatë kohës kur është pjesë e komunikacionit nuk guxon ta përdor celularin, aq më pak ndonjë pajisje tjetër e cila në çfarëdo mënyrë do t’ia merrte vëmendjen dhe do ta zvogëlonte mundësinë për reagim të shpejtë. Në të kundërtën Ligji thotë se shoferëve të tillë iu shqiptohen gjoba në vlerë prej 40 euro, ose iu regjistrohen minus 25 pikë negative në patentë shofer. Sipas të dhënave zyrtare të MPB, vetëm gjatë këtij viti janë shqiptuar mbi 3600 gjoba për shfrytëzim të celularëve në komunikacion. (koha.mk)