Në shtator mbledhje e përbashkët e qeverive Shqipëri-Kosovë, do firmosen 3 marrëveshje

Në gjysmën e dytë të shtatorit do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës ku pritet të nënshkruhen edhe tri marrëveshje të mëdha. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj i lidhi këto marrëveshje me pikën doganore të Durrësit, lidhjen hekurudhore mes dy vendeve dhe ndërtimin e një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë.

Marketing

Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë edhe këtë vit traditën e mbledhjeve të përbashkëta ndërmjet dy qeverive ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të reja si dhe do të diskutohet për përparimin e zbatimit të marrëveshjeve të ekzistuese.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, gjatë një interviste për median ekonomiaonline tha se mbledhja e përbashkët mes dy qeverive pritet të mbahet në pjesën e dytë të muajit shtator dhe gjatë saj do të nënshkruhet tri marrëveshje të “mëdha”.

 “Ne kemi filluar me takime të cilat do ta organizojnë mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy Qeverive, e cila pritet të mbahet në pjesën e dytë të shtatorit. Javën e kaluar kam pasur takim me këshillin organizativ,  jemi në punë e sipër për t’u koordinuar mes dy qeverive për marrëveshjet e radhës”, theksoi zv./kryeministrja e Kosovës.

Kosova vijon të jetë e interesuar për hapjen e një pike doganore në Durrës, lidhjen hekurudhore mes dy vendeve dhe ndërtimin e një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë.

 “Janë tri marrëveshje më të mëdha do t’i quaja, e para është Dogana në Durrës, linja hekurudhore dhe Hidrocentrali që do të ndërtohet në Republikën e Shqipërisë për Kosovën”, nënvizoi ajo.

Në lidhje me marrëveshjet ekzistuese, zv./kryeministrja Balaj-Halimaj tha se mes dy palëve ekziston vullneti për t’i zbatuar dhe në takimin e ardhshëm do të ketë edhe plotësim të disa marrëveshjeve.

Marketing