Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti Filologjik, sot përmes një akademie solemne e shënoi 115-vjetorin e Kongresit të Manastirit, që konsiderohet si njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore e kombit shqiptar. Kjo ditë na i kujton të gjithë atdhetarët tanë, që përballuan ndjekjet, persekutimet dhe vuajtjet për të zgjidhur një nga çështjet më madhore të kulturës sonë, njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, në fjalën e tij të rastit në këtë veprimtari solemne, theksoi se Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. “Me të drejtë thuhet se, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky është kuvendi që mblodhi shqiptarët nga të gjitha krahinat e vendit tonë, duke dhënë sinjalin e parë për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar. Gjithashtu, ai për herë të parë në historinë tonë çeli rrugën e kongreseve për të diskutuar çështje madhore të kulturës sonë. Shkronjat e shqipes janë të alfabetit latin, por sistemi i shkrimit dhe sistemi grafik i shqipes ka disa veçori, që i japin një karakter të veçantë. Për të treguar se edhe shqiptarët e këtyre trevave (sot Maqedonia e Veriut) kanë trajtuar tema për alfabetin e gjuhës shqipe, këtë fjalë rasti do ta përmbyll me një vlerësim të Prof. Dr. Petro Janurës (themeluesit të Katedrës së Albanologjisë në Shkup (1951) si dhe kryeredaktorit të parë të gazetës “Flaka e vëllazërimit” (1945)) i cili 54 vjet më parë, në veprën e tij me titull: “Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe”, të botuar në Shkup, më 1969 shkruan: “Alfabetin e sotëm që e përgatitën shekujt me anën e njerëzve dashamirë të shkrimit e të kulturës shqipe, zyrtarisht e stilizoi në formë definitive dhe e vuri në zbatim data 1908, që u ratifikua prej datës 1912 edhe pse në këto data nuk u dha asnjë urdhër, por etika e ndërgjegjes së ndershme kombëtare, që i pruri këto data, u bë urdhër për t’u pranuar përgjithnjë ky alfabet”, tha ndër të tjera, Dekan i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Ndërkaq, Prof. Dr. Zejnepe Alili-Rexhepi e lexoi referatin, me temë: “Kongresi i Manastirit – njësimi i alfabetit dhe rëndësia e gjuhës”. Ajo deklaroi se, vendimet e Kongresit të Manastirit dëshmuan se shqiptarët ishin konsoliduar si një komb i bashkuar rreth aspiratës së përbashkët, të ecnin në rrugën e përparimit ekonomik dhe kulturor dhe të zinin vendin që u takonte si popull evropian në familjen e madhe të kombeve të qytetëruara të Evropës. “Në themel të këtij koncepti gjithmonë ishte që të mbrohej prejardhja e “llojit”, ku gjuha e folur është elementi përcaktues, ndërsa ajo e shkruara, një relikt që bartet me kohën dhe e siguron pavdekësinë tonë si komb! Gjuha mbetet më e rëndësishmja në koleksionin e simboleve kombëtare, andaj shqiptarët ndër shekuj e bartin ëndrrën jetike: një gjuhë, një komb, një atdhe. Në projektin e unifikimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare kontribuuan pareshtur: vëllezërit Frashëri, Asdreni, Çajupi, Fishta, Noli, Konica…, dhe e tërë plejada e Rilindësve, lajtmotivi i të cilëve ishte: atdheu i lirë është esenca e idesë së Pavarësisë, me simbolin jetik – Gjuhën shqipe. Edhe përpjekjet e intelektualëve të sotëm për ta lartësuar këtë gjuhë, nënkuptojnë bashkëveprim kulturor kombëtar, që thelbësisht përkon me idenë e rilindësve, të cilët pikësynim e patën veprimin e përbashkët arsimor e atdhetar, për t’i rritur potencialet kombëtare rreth një qëllimi, si në sferën politike, ashtu dhe atë kulturore. Kjo dëshmon se në çdo kohë, vlerat krijuese shqiptare, pavarësisht hapësirave ku krijohen, reflektojnë variacione të ndjeshme atdhetare, ku qartë përvijohet ekspozeja e tërë kombëtare, kur me një gjuhë lavdie, përmes vargjeve të lahutarit, Gjergj Fishta, ngrihet epopeja në vargje e popullit tonë”, nënvizoi mes tjerash Prof. Dr. Zejnepe Alili-Rexhepi.
Ky aktivitet u begatua edhe me pjesën artistike. Fillimisht, studentja e programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Altina Sulejmani e lexoi poezinë “Gjuha shqype” të Gjergj Fishtës, ndërsa studentët e Fakultetit të Arteve, Melisa Loki dhe Abdulla Xhaferi, interpretuan një pikë muzikore.