Në UT u prezantuan bursat e qeverisë amerikane

Në Universitetin e Tetovës, sot u bë prezantimi i programit Fulbright Scholar si dhe i disa programeve tjera që i ofron ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për studentët dhe profesorët. Përfaqësuesi i ambasadës së SHBA-ve, z. Gazmend Ilazi, u shpreh se programi Fullbright mundëson studime pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjithë studentët, të cilët janë në studime deridiplomike dhe dëshirojnë t’i regjistrojnë studimet e tyre pasuniversitare, por edhe për studentët të cilët i kanë të regjistruara studimet e masterit apo ato të doktoraturës dhe dëshirojnë të bëjnë kërkime, hulumtime mbi temat e tyre të magjistraturës dhe doktoraturës. “Ne sot prezantuam një gamë të gjerë të programeve për studentët e studimeve deridiplomike dhe shumë mundësi të tjera.

Marketing

Përveç programeve që ofron ambasada amerikane, Këndi Amerikan në Tetovë mundëson edhe informata për studentët, të cilët dëshirojnë që t’i regjistrojnë studimet e tyre deridiplomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, d.m.th. ka shumë oferta dhe mundësi të ndryshme për të studiuar në universitetet më prestigjioze të SHBA-ve, qoftë përmes programeve që i ofron ambasada e SHBA-ve në Shkup, qoftë edhe nëpërmjet programeve që i ofron Këndi Amerikan në Tetovë” – tha z. Gazmend Ilazi.

Ai po ashtu gjatë prezantimit u bëri thirrje studentëve që të aplikojnë për bursa. Sipas tij kushti i vetëm është njohja e gjuhës angleze dhe se përzgjedhja e kandidatëve është shumë transparente. Mundësitë janë shumë të mira dhe çdo profesor apo student që i plotëson kriteret, mund të jetë fitues i këtyre bursave.