Nesër hapen kopshtet për fëmijë, Bakiu: Çdo dy orë do të dezinfektohen klasat

Nesër 72 çerdhet publike në mbarë vendin hapin dyert, duke iu përmbajtur protokolleve. Në to kujdes mund t’u ofrohet 19 mijë fëmijëve.

Marketing

Rreth 4500 prindër që i plotësojnë kushtet nuk kanë treguar ende nëse do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe. Drejtoresha e çerdhes “Fidani”, Gëzime Bakiu, thotë se janë përgatitur për të pritur fëmijët.

U apelon prindërve t’ju përmbahen protokolleve e siguron se gjithçka është gati për të mbrojtur shëndetin e më të vegjëlve.

“Klasat do të dezinfektohen çdo 2 orë, atje ku fëmijët do të qëndrojnë normal që duhet të ajrosen klasat. Dritaret duhet të jenë të hapura, aktivitetet do t’i mbajmë më shumë në hapësira të hapura në oborret e kopshteve, por edhe në klasë i kemi kushtet. Do të bëhet vazhdimisht dezinfektimi i klasave, tavolinave, dorezave, d.m.th. në çdo dy orë. Gjatë hyrjes duhet t’i dezinfektojnë duart ku ka mjete edhe për prindërit. Fëmija pranohet nga ana e edukatores, i matet temperatura, në qoftë se çdo gjë është rregull, pranohet. Gjithashtu kemi edhe për dezinfektimin e këmbëve, d.m.th. këpucëve para hyrjes për fëmijët. Pasi të marrë edukatorja fëmijët, u lan duart, ua dezinfekton dhe i fut në klasë.”,- tha drejtoresha e Çerdhes “Fidani”, Gëzime Bakiu.

Sipas protokollit, parashihet për grupet nga 2-6 vjeç të ketë më së shumti 15 fëmijë, kurse për ata deri në 2 vjeç të ketë më së shumti 6 fëmijë. Brenda në kopsht, qëndrimi i fëmijëve të organizohet në mënyrë që t’i iket kontaktit mes grupeve të ndryshme të fëmijëve.

Nuk lejohet përdorimi i lodrave të cilat nuk lahen dhe të punësuarit detyrimisht duhet të mbajnë maska. TVM2