Pas tetë vitesh premtime dhe pas tetë muajsh qëndrim në parkun e zjarrfikësve të Tetovës, nga dita e hënë pritet që të lëshohen në qarkullim autobusët në qytetin e Tetovës. Fillimisht do të jenë dy linja që do lëviznin çdo 30 minuta në relacionin Stacioni Autobusëve “Monopol”, Bulevardi “Iliria”, dhe bulevardi “Ilinden”, dhe anasjelltas. Linja e dytë do të jetë nga stadiumi i qytetit, qendër dhe bulevardi “Ilinden”. Këtë për TV21 e tregon drejtori i ndërmarrjes “Tetova Transport”, Darko Spirovski.
“Është marrë vendimi që me datë 16 edhe të fillojë ndërmarrja në mënyrë zyrtare në bazë të planit që ka sjell këshilli komunal dhe nga e hëna do të mund të shihni autobusët me linja të rregullta dhe udhëtarët lirisht mund t’i shfrytëzojnë autobusët në atë periudhë dhe fillimisht do të kemi një linjë apo dy linja dhe më pas në bazë të nevojës do të aktivizohen edhe linjat tjera”, tha Spirovski.
“Në bazë të dinamikës, atë që e thash, do të duhet çdo 30 minuta të kemi nga një autobus dhe mendoj është një plan për të parë se si do të reagojnë qytetarët dhe mendoj se do të jemi dinamik dhe aktiv pra dhe nuk do t’i përmbahemi një plani, por do të funksionojnë në bazë të dinamikës që qytetarëve, me qëllim që ata të jenë të kënaqur”, u shpreh më tej Spirovski.
Një biletë do të kushtojë 20 denarë, ndërsa mujorja 900 denarë. Bileta vjetore do të jetë 9000 denarë. Për studentët dhe administratorët 600 denarë bileta mujore dhe 6000 denarë vjetorja. Për administratën komunale 450 denarë mujorja dhe 4500 denar vjetorja. Për pensionistët mbi 62-vjeç dhe personat me pengesa në lëvizje 350 denarë mujorja dhe 3500 vjetorja, kurse me mbi 80% invaliditet do të jetë falas.