Me rritjen e temperaturave, kujdesi ndaj shëndetit dhe nevoja për të qëndruar sa më të freskët janë gjithnjë e më urgjente.
Në këtë periudhë të vitit rekomandimet e mjekëve janë të qëndroni larg të nxehtit përvëlues të verës.
E teksa termometri shënon rritje dita ditës duke kaluar 35 gradë celsius, përveç djersitjes trupi mund të vuajë edhe nga disa simptoma të tjera.
Ja çfarë sëmundjesh mund të shkaktojnë temperaturat e larta.
Cilat Janë Sëmundjet Që Shkakton i Nxehti
Sëmundjet e shkaktuara nga i nxehti shfaqen kur trupi nuk është në gjendje të kryejë procesin e vetë-ftohjes.
Zakonisht trupi i njeriut ftohet me anë të djersitjes dhe qarkullimit të gjakut.
Gjithsesi kur temperaturat janë shumë të larta as ky proces nuk është i mjaftueshëm.
Kështu trupi mund të zhvillojë gjendje të ndryshme të cilat kthehen në sëmundje.
Këtu përmendim që nga djegiet e lëkurës deri tek hipertermia apo siç quhen ndryshe goditjet nga i nxehti.
Nëse me rritjen e temperaturave keni vënë re se ju dhembin muskujt apo keni kriza të vazhdueshme të gjymtyrëve, arsyeja mund të jetë vapa e madhe.
Gjithashtu i nxehti ndikon shumë keq edhe tek personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.
Pasi vështirësojnë qarkullimin e gjakut duke e ngadalësuar apo përshpejtuar atë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit të cilës i referohet AgroWeb.org, temperaturat e larta mund të bëhen shkak për përkeqësimin e sëmundjeve të veshkave, trurit dhe atyre të frymëmarrjes.
Ndikimi i temperaturave në shëndet mund të jetë vdekjeprurës, sidomos nëse vuani nga sëmundje kronike.
Pasi i nxehti ka tendencë të bllokojë dhe ngadalësojë shumë procese normale të organizmit, duke u kthyer në një rrezik për jetën.
Kush Janë Më të Rrezikuarit
Ekspertët thonë se çdo njeri mund të jetë i rrezikuar nga sëmundjet e mësipërme nëse ekspozimi në diell është shumë i madh.
Gjithsesi më delikatë gjatë verës ndaj këtyre problemeve janë një grup i caktuar njerëzish.
Të moshuarit, kryesisht sipër 65 vjeç nuk këshillohet të qëndrojë jashtë gjatë ditëve të nxehta.
Të porsalindurit, lehonat dhe gratë shtatzënë gjithashtu janë të rrezikuar nga temperaturat e larta të verës.
Mjekët theksojë se personat që vuajnë nga sëmundje kronike ku futen ato kardiovaskulare, diabeti apo sëmundjet e frymëmarrjes për shkak se gjatë kësaj kohe marrin medikamente të forta janë gjithashtu një grup në rrezik.
Çfarë të Bëni Nëse Sëmureni Nga i Nxehti
Ndihma e parë që mund t’i jepni vetes dhe të tjerëve në këtë rast është të lëvizni në një vend më të freskët dhe të errët.
Përpiquni të ftohni kyçet e gjymtyrëve dhe të konsumoni ujë të freskët.
Në këtë mënyrë trupi do të rregullojë temperaturën e brendshme të tij.
Nëse jeni në shtëpi mjekët këshillojnë që të bëni një dush me ujë të freskët.
Evitoni daljen nga shtëpia gjatë orëve kur dielli është shumë i nxehtë dhe evitoni pijet alkoolike apo kafen.
Është e rëndësishme që të jeni të kujdesshëm me simptomat, nëse ndjeni se po përkeqësohen njoftoni menjëherë një mjek.