Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino është shprehur kundër nisjes së sezonit të futbollit së afërmi duke pasur parasysh gjendjen e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe i ka thënë 211 shoqatave pjesë marrëse të premten, se një sjellje e tillë do të ishte e papërgjegjshme.
Turnetë e mëdha si “Euro 2020” dhe Kupa e Amerikës janë shtyrë për vitin tjetër. Infantino tha të premten në një fjalim për pjesëmarrësit e Fifa-s se: ‘Prioriteti ynë është shëndeti. Asnjë ndeshje, asnjë garë, asnjë ligë nuk vlen aq sa të vëmë në rrezik jetën e njerëzve. Çdokush, kudo në botë duhet të ketë këtë parim të qartë në mendjet e tyre’.
Ndërkohë , diskutime po mbahen kudo në botë se kur dhe si do të rinisë sezoni i ri i futbollit, ndërkohë që në disa shtete ka mosmarrëveshje nëse pagesa e futbollistëve duhet të ndërpritet apo jo. ‘Do të ishte e papërgjegjshme të nisnim përsëri ndeshjet e futbollit, kur gjendja nuk është 100% e sigurt’- vazhdoi Infantino.
“Nëse do të na duhet të presim pak më gjatë , do ta bëjmë . Është më mirë të presim se të përballemi me rrezikun. Së bashku do të gjejmë një zgjidhje dhe nuk do të jeni vetëm. Botës do t’i tregohet ku do të shkojnë paratë tona dhe qëllimin e këtij veprimi. Nëse futbolli arrin në përfundimin se interesi global është më i rëndësishem se ai individual, jam i bindur se e ardhmja jonë do të jetë më e mirë se e shkuara dhe ne do të jemi me të përgatitur për situatat që do të përballojmë në të ardhmen”, u shpreh ai.